E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski-Papandreu bien në ujdi për emrin e Maqedonisë

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, Jorgos Papandreu dhe Nikolla Gruevski, për 40 minuta kanë diskutuar çështjen e kontestit të emrit, në një nga zyrat e ndërtesës së Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel, por nga ky takim asgjë nuk është bërë publike, pasi ata u janë larguar mediave. Burime pranë diplomatëve grekë kanë komunikuar se palët kanë biseduar për propozimin e fundit grek lidhur me emrin “Republika Veriore e Maqedonisë”, si dhe për modalitetet e tjera për të qenë sa më afër një zgjidhjeje, mirëpo duke mos tejkaluar vijën e kuqe greke. Kryeministri Gruevski, para takimit, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me çështjen e kontestit të emrit dhe debatet rreth kësaj çështjeje që janë pjesë e axhendës evropiane në Bruksel. “Nuk e di se a është rritur për 100 për qind presioni nga Greqia, por duket qartë qëndrimi proaktiv i liderëve evropianë në raport me çështjen e emrit dhe gjetjen e zgjidhjes. Jam duke ndjekur që liderët evropianë nga nëntori e më tej janë të interesuar për mbylljen e kësaj çështjeje. Pas takimit me Papandreun do të kem një pasqyrë më të qartë se a janë ata për gjetjen e një zgjidhjeje të vërtetë apo duan vetëm të krijojnë përshtypje se duan të gjejnë zgjidhje”,- ka theksuar kryeministri Gruevski.
Takimi
Mediat greke, duke cituar diplomatë të pranishëm në Bruksel, kanë pohuar se dy kryeministrat kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për të diskutuar rreth alternativës së propozuar së fundmi. Mediat greke dhe ato maqedonase kanë dalë me një pjesë të këtij propozimi, në qendër të të cilit është emri “Republika e Maqedonisë Veriore”. Sipas propozimit të cituar nga media, ky emër do të përdorej edhe kur do të shpjegohej shtetësia, ndërkohë gjuha do të shpjegohej ashtu siç përdoret në gjuhën maqedoanse, “makedonski”. Sipas këtyre mediave, në takimin mes dy kryeministrave ka pasur një rrjedhë diskutimi produktive, pasi nga të dyja palët janë dhënë opinione pozitive për alternativën e nxjerrë kohët e fundit, por me sa duket, këto diskutime do të finalizohen pas propozimit të Nimiç.
Ndërkombëtarët
Përfaqësues ndërkombëtarë, ndërkohë, kërkojnë zgjidhje të problemit dhe mendojnë se konteksti aktual është tejet i rëndësishëm për tu injoruar. Këtë mesazh e dha ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker. “Tani është koha që të zgjidhet kjo çështje që të përparohet drejt mundësive të rëndësishme. Mendoj se fakti që kryeministrat takohen dhe e pëdorin këtë proces që drejtohet nga OKB-ja, u jep atyre shansin më të mirë që të arrijnë zgjidhje”,- tha ambasadori Riker. Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë është takuar me Presidentin e Këshillit të BE-së, Herman van Rompoj, si dhe komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, nga të cilët ka marrë mbështetje, por dhe nxitje që të marrë vendime të rëndësishme. Por nga sinjalet që jepen në Shkup është vështirë të gjendet një rrugë për kompromis për dallimet. Athina thotë se emri “Maqedoni” është pjesë e historisë së saj, kurse Shkupi thotë se ky emër është thelbi i identitetit kombëtar.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›