E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski fiton mazhorancën absolute në Parlament

Kreu i konservatorëve nacionalistë, Nikolla Gruevski, ka siguruar shumicën e deputetëve në Parlamentin e ardhshëm në Maqedoni, duke iu afruar mundësisë që mund të qeverisë edhe vetëm. Ndërkaq, përçarja dhe klima e tensionit mes shqiptarëve, përveçse ka favorizuar Kryeministrin maqedonas, i cili megjithatë përballet me një reagim të ashpër të komunitetit ndërkombëtar, që i kërkojnë të dënojnë personat që kanë shkaktuar dhunën dhe kanë vënë para një përgjegjësie të madhe vetë Gruevskin dhe qeverinë e tij.

Rezultatet

VMRO-DPMNE e Kryeministrit Gruevski ka fituar 48.33% të votave në zgjedhjet në Maqedoni. Në mesin e partive shqiptare kryeson BDI-ja e Ali Ahmetit me 11.09%. Rezultatet janë bërë të ditura nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Në bazë të rezultateve paraprake nga 98% e vendvotimeve të numëruara, Komisioni Shtetëror Zgjedhor bën të ditur se VMRO-DPMNE-ja në nivel republikan ka arritur të fitojë gjithsej 479 219 vota, ose 48.33% të votave, ndërsa LSDM-ja vetëm 231 978, ose 23.39% të votave. Te blloku i partive shqiptare, sipas KSHZ-së, BDI-ja ka fituar numrin më të madh të votave. Për këtë parti, në zgjedhjet e së dielës kanë votuar gjithsej 109 940 votues, ose 11.09% e elektoratit. PDSH-ja, nga ana tjetër, ka marrë 101 123 vota, përkatësisht 10.20%.

Pas kësaj, kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe Kryeministri Nikolla Gruevski, tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike, duke siguruar shumicën parlamentare. "VMRO-DPMNE dhe koalicioni për një Maqedoni më të mirë, do të ketë mbi 60 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë", ka theksuar Nikolla Gruevski, duke premtuar se do të angazhohet për realizimin e axhendës së platformës politike të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, që do të mundësojë, siç ka theksuar ai, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Menjëherë pas kësaj, blloku opozitar, i kryesuar nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, e ka pranuar humbjen. "Uroj koalicionin dhe VMRO-DPMNE-në për rezultatet zgjedhore", tha Radmilla Shekerinska, drejtuese e opozitës maqedonase, duke shtuar se çmimi që paguan Maqedonia për këtë fitore të Gruevskit është largimi shumë hapa prapa i integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në mesin e partive shqiptare, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votat e numëruara në 82 për qind të vendvotimeve, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit është në përparësi prej 10 mijë votash ndaj Partisë Demokratike Shqiptare. Por, Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar me 19 deputetë kundrejt 10 deputetëve të BDI-së. Gjate procesit të djeshëm zgjedhor ka pasur shkelje serioze të ligjit, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë. Një person është vrarë, kurse disa të tjerë janë plagosur, ndërkohë që në shumë vendvotime, në njësinë zgjedhore 2 dhe 6, vise këto të banuara kryesisht me shqiptarë, kutitë e votimit ose janë mbyllur tërësisht, ose nuk kanë funksionuar me kapacitet të plotë gjatë ditës së djeshme.

BDI

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se është i dëshpëruar nga incidentet që ndodhën gjatë ditës së zgjedhjeve dhe kërkon rivotime në Saraj dhe zonën e gjashtë. "Prisnim të jetë ditë gëzimi, pa dhunë, terror e plagosje, mirëpo nuk ndodhi kështu. Kjo ditë u shndërrua në ditë të përgjakshme. Sipas tij, për BDI-në rezultatet në njësinë zgjedhore numër 6 dhe Komunën e Sarajit janë të papranueshme. "Kërkojmë përsëritjen e votimeve dhe këto rezultate janë të papranueshme, sepse pas orës 14.00 të gjithë vëzhguesit, anëtarët e komisioneve kanë qenë nën kërcënimin e armëve. Ndaj, në të gjitha ato vende ku është shkelur vullneti i popullit, kërkojmë që votimet të përsëriten", deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

PDSH + PPD

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) deklaroi bashkimin e saj me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), që bashkërisht konsiderojnë fitore bindëse në zgjedhje. Kryetari i PPD-së, Abdulhadi Vejseli, deklaroi se lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, në bisedimet me mandatarin e ri mund të shfrytëzojë votat e PPD-së.

"Apeloj tek opinioni ndërkombëtar që të mos u besojë raporteve të disa mediave, të cilat bëjnë të ditur se ka fituar tabori tjetër. PPD-ja ka fituar 13 mijë vota dhe bashkë me 106 mijë votat e PDSH-së, bashkërisht janë afërsisht 120 mijë vota, përkundër BDI-së që ka fituar 106 mijë vota. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, uroi Vejselin për fitoren e një mandati dhe deklaroi se koalicioni i tyre ka fituar 120 mijë vota për dallim nga BDI-ja që ka fituar 106 mijë vota. Ai theksoi se në këtë mandat do të realizojnë të drejtat e shqiptarëve. Thaçi shtoi se pas mbylljes së zgjedhjeve, me liderin e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, ka pasur një bisede joformale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›