E Shtunë, 31 Tetor 2026

Servilët dhe guximtarët

Problemet e Maqedonisë, në dy krahët e politikave etnike, burojnë nga një logjikë e "martesave", apo koalicioneve të imponuara, të cilat pamundësojnë instalimin e demokracisë që

bazohet në interesa të pamanipuluara. Mosnjohjet dhe rreziqet

e jashtme e kanë bërë të domosdoshëm, që nga viti 1992,

koalicionin e partive fituese maqedonase me së paku një parti shqiptare, mundësisht edhe ajo fituese në pjesën shqiptare

të Maqedonisë. Te shqiptarët, kjo skemë e imponuar nga faktori

ndërkombëtar pamundëson përdorimin e instrumentit

të "shantazhit" demokratik - që participimi në pushtet të kushtëzohet me avancimin e pozitës së shqiptarëve. Fakti se koalicioni ka qenë i detyrueshëm për të dyja palët, gjithnjë ka nxjerrë një fitues të vërtetë, të majtën ose të djathtën nga spektri maqedonas i partive, kurse te shqiptarët konkurrenca ka qenë për zgjedhjen e partnerit, ku pazari është dashur të ulej dhe jo të ngrihej. Pavarësisht se në retorikën e fushatave partitë shqiptare zotoheshin se do të luftojnë për të drejta maksimale, në praktikë futja në pushtet ka nënkuptuar relativizimin dhe zbehjen e kërkesave. As rebelimi dhe Marrëveshja e Ohrit nuk e ka ndryshuar shumë këtë dobësi të demokracisë në Maqedoni, ku shqiptarët detyrohen të bëhen partnerë të dëgjueshëm. Te spektri shqiptar problemi tjetër ka qenë edhe mungesa e elitës së aftë dhe kompetente politike, e cila i di të gjitha marifetet e diplomacisë dhe edhe kur korruptohet nuk e bën këtë për interesa të vogla. Mund të jetë që për incidentet dhe konfliktet në ditën e zgjedhjeve më 1 qershor fajtor të kenë qenë militantët e PDSH-së ose BDIsë, por përfitues i vërtetë, e me gjasa edhe porositës i tyre, ka qenë pala maqedonase, e cila edhe në këtë mënyrë e ul pazarin. Kushdo që të fitojë, Ahmeti apo Thaçi, do të garojë për pushtet me platformën e zbutur dhe përshtatur. Gruevski, Cërvenkovski dhe Sheqerinska kanë interesa vitale që të mos arrihet pajtimi mes Ahmetit dhe Thaçit. Dhe Gruevski, si fitues i garantuar, sërish mund të zgjedhë fituesin e vet shqiptar, jo për arsye ideologjike, por sepse ai do t‘u imponojë rregullat e lojës.

Kujt i shërben RTK-ja

Kriza e financimit të RTK-së, pas skadimit të kontratës për mbledhjen e parapagimit me faturat e KEK-ut, është duke u

reflektuar edhe në programin informativ të këtij transmetuesi

publik. RTK-ja për çdo ditë në emisionet informative fton si

mysafirë në studio ndonjë ministër, ose zyrtar të lartë, jo pse

për këtë ka ndonjë shkas sado serioz që arsyeton paraqitjen e

tyre, por sepse drejtuesit e RTK-së në këtë mënyrë duan të tregojnë lojalitetin ndaj pushtetit dhe gatishmërinë që të shërbejnë si zëdhënës të tij. Kjo praktikë degradon ashiqare dhe

me gjasa pariparueshëm misionin e funksionin që duhet

ta ketë RTK-ja si një organ i shoqërisë dhe jo i pushtetit. Besoj se qeveria aktuale nuk e kërkon një nivel të tillë të servilitetit sa ia imponojnë vetë drejtuesit e RTK-së me ftesat e

përditshme qeveritarëve dhe këshilltarëve, sepse niveli i organizimit lobist të RTK-së tejkalon shumëfish menaxhmentin

medial të qeverisë, e cila ende nuk e ka zëdhënësin, i cili me të

gjitha kapacitetet u përkushtohet raporteve me mediat dhe

opinionin. Nuk besoj se zëvendëskryeministri Kuqi, i cili ushtron

edhe detyrën e zëdhënësit, ka kohë që të bëhet kryeredaktor

në hije i RTK-së, aq më parë që të gjitha obligimet proqeveritare

kryhen në mënyrë aq perfekte nga stafi i Agim Zatriqit.

Kriza e financimit të RTK-së, e përcjellë edhe me krizën e menaxhimit, pasi që të gjitha organet e saj drejtuese që prej vitesh janë "jashtë mandatit", nuk është ogur i mirë për fatin e RTK-së. Nëse nuk ndërhyhet shpejt, RTK-ja do të degradohet në një

medium shtetëror, me pasojën e shndërrimit në organ propagande.

As kontrata e re me KEK-un, që paralajmërohet nga qeveria

si zgjidhje për rimbushjen e buxhetit të RTK-së, nuk mund të jetë

zgjidhje afatgjatë për pavarësinë e transmetuesit publik. Duhet

të kërkohet një model tjetër i financimit nga fondet publike

dhe taksat, që nuk do të jetë nën kontrollin e qeverisë dhe të

Parlamentit, por të shoqërisë, në kuptimin e përfshirjes së

shumë aktorëve relevantë që përfaqësojnë diversitetin e interesave shoqërore, politike dhe të tjera. Por, për këtë nuk ka vullnet e as vetëdije të mjaftueshme. Vetëm zhurmë dhe kakofoni

të zërave të shtirura të politikanëve, shoqërisë së shthurur civile dhe magnatëve ekonomikë e pretendentëve të tjerë, që synojnë kontrollin e informatave dhe biznesit medial.

Jeta kundër korrupsionit

Një përjashtim në programacionin e RTK-së, ku pushtetarët shpesh

futen në siklet dhe u del djersa, është emisioni "Jeta në

Kosovë". Por, kuptohet, këto emisione janë koproduksion,

praktikisht RTK-ja shërben vetëm si platformë për një ndërmarrje

të pavarur, e cila ka siguruar njërin prej kanaleve të pakta

për debate dhe konfrontime në një shoqëri që është bërë e

pabëzanë dhe inerte. Jeta Xharra nuk është. Pra tamam RTK,

po sfidon përbrenda RTK-në, duke treguar se çfarë rruge duhet

të ndjekë në programet informative dhe debatet.

Një shembull më i avancuar i gazetarisë së avancuar hulumtuese

ka qenë edhe emetimi i një storieje, që ka treguar se si vepron "mafia juridike", e cila manipulon me dokumentet e dyfishta dhe të falsifikuara të banesave që i kanë shitur serbët pas luftës. Nuk është e rastit që në shpalljet për shitblerjet gjithnjë theksohet se "pronari është shqiptar", sepse nëse nuk është, gjithnjë ka gjasa që të futesh në dava e procese denigruese dhe dëmtuese. Në këtë storie që kishte përgatitur gazetari Betim Musliu, përndryshe model i gazetarisë hulumtuese dhe guximit, kuptohet qartë se gjykatësja Naxharie Hoti nuk di as matematikën më të thjeshtë dhe paditësit që kërkon t‘i kthehet në pronë banesa për të cilën dokumentet thonë që ka 64 m2, dy dhoma, kuzhinën, dy ballkone dhe një paradhomë, e identifikon me një banesë që ka 48 m2, është me dy dhoma, por pa dy ballkone dhe paradhomë dhe merr vendimin e shkallës së dytë, që paditësit t‘ia japë këtë banesë, edhe pse Habitati kishte konstatuar se dokumentet për këtë padi janë falsifikat! Është skandal në vete kjo mënyrë e lidhjeve mafioze të mashtruesve serbë, që kanë prodhuar dokumente false, me avokatët (në këtë rast Bajram Krasniqi, përndryshe i dënuar nga gjyqi për mashtrim të një klienti tjetër) dhe gjykatësit. Për këta përfaqësues

të ligjit të korruptuar dënimet duhet të janë të menjëhershme

dhe drastike. Nëse duam shtetin ligjor, së pari duhet pastruar

dhe fuqizuar sistemin gjyqësor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›