SHBA: Qeveria, përgjegjëse për dhunën
Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh brengosje të thellë për shkak të mangësive të mëdha të shënuara nga vëzhgues të vendit dhe ndërkombëtarë në zgjedhjet e djeshme parlamentare, siç është pasqyruar në raportin e ODIHR-it të datës 2 qershor. "Ne jemi posaçërisht të zhgënjyer nga shkalla e lartë e dhunës, që rezultoi me një të vdekur dhe disa të lënduar, frikësimi i votuesve, zyrtarëve të komisioneve zgjedhore dhe vëzhguesve të akredituar nga grupe të armatosura, të lidhura me partitë më të mëdha të shqiptarëve", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. Në deklaratë thuhet gjithashtu se zhgënjyese ka qenë edhe lista e gjatë e parregullsive, siç thuhet vjedhja dhe mbushja e kutive të votimit e manipulimi i listave të votuesve në vendvotime, posaçërisht në veriperëndim të vendit dhe në qytetin e Shkupit. "Në disa raste, vëzhguesit kanë vërejtur policë dhe zyrtarë të tjerë të rendit, duke mos ndërmarrë asgjë, përderisa parregullsitë ndodhnin, ose duke ndihmuar aktivisht autorët e këtyre akteve. Votimi me probleme serioze më 1 qershor e diskrediton shumë këtë vend dhe ndikon negativisht në rrugën e saj për integrimin në BE dhe NATO. Me qëllim që të përmirësohet dëmi, qeveria doemos duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershme dhe të sigurojë që votimet me parregullsi, të cekura nga ODIHR, MOST dhe mbikëqyrësit e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, do të anulohen dhe do të mbahen rivotime të rregullta, të drejta dhe të qeta (posaçërisht në zonat zgjedhore 1 dhe 6)", thuhet në deklaratë. Ambasada amerikane tërheq vërejtjen se qeveria duhet t‘i largojë të gjithë zyrtarët e policisë, të cilët lojalitetin e kanë në parti politike e jo në punën profesionale të policisë.
"Duhet t‘i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, me qëllim që të sigurohet që asnjë forcë paralele e drejtuar nga ndonjë parti politike ose që mbështet atë, nuk do të lejohet të ndikojë votuesit ose votimin në ditën e rivotimit. Me qëllim që të parandalohet përsëritja e ngjarjeve të 1 qershorit, doemos duhet të implementohen procedura rigoroze sigurimi për mbrojtjen e votuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore dhe vëzhguesve. Qeveria duhet fuqimisht t‘i hetojë, ndjekë dhe sanksionojë në mënyrë adekuate ata, të cilët do të zbulohen si shkaktarë të atyre ngjarjeve, që e dëmtuan imazhin demokratik të këtij vendi", thuhet në fund të deklaratës së ambasadës amerikane në Shkup.