Gruevski përgënjeshtron mediat: Asgjë të re për njohjen e Kosovës
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski ka përgënjeshtruar dje deklaratat e mediave se, gjatë seancave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po zhvillohet në Nju Jork, Maqedonia do të deklarojë njohjen e Kosovës. “Qeveria e ndjek këtë proces me vëmendje dhe ne veprojmë në bazë të interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Në komunikim jemi me të gjithë partnerët tanë nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, kështu që në rast se dikur do të ketë diçka të re rreth njohjes së Kosovës, do t’u njoftoj. Tani për tani nuk kemi asgjë të re”, tha Gruevski. Ndërkohë, pasditen e djeshme qeveria e Maqedonisë ka zhvilluar një mbledhje jo të zakonshme, duke e mbajtur sekret axhendën e këtij takimi. Sipas analistëve politikë në Shkup, duke pasur parasysh politikën aktuale të kryeministrit Gruevski, dyshohet që Shkupi ta njohë Kosovën gjatë ditëve në vijim. Mediat e ndryshme kanë paralajmëruar, se ky shtet pritet që ta njohë Republikën e Kosovës sot apo nesër. Maqedonia ka pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës, ndërkaq ka dhënë sinjale të qarta se është e gatshme të pranojë marrëdhënie ndërshtetërore me Kosovën. Deri më tani krerët e qeverisë maqedonase kanë qenë të rezervuar, duke mos pranuar të japin ndonjë datë se kur do të vendosin që ta pranojnë shtetësinë e Kosovës. Ndërkohë, PDSH që deri dje ishte në pushtet, ka bërë thirrje për njohje të menjëhershme të Republikës së Kosovës, duke akuzuar shqiptarët e BDI-së në pushtet, se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur çështjet shqiptare.