“Rikthehet plejada 50-vjeçare e baletit shqiptar”
ANILA MEMA
Nëse 40 vjet më parë, i ati nuk i shihte një shenjë thupre ndër kofshë a vithe, nënkuptohej që atë ditë nuk kishte punuar si duhej në shkollë. Por nëse sot, ngre zërin a dorën, (se thupra nuk ekziston), atëherë përfundon dyerve të gjykatës. Kjo ndodh rëndom, sikurse edhe në shkollën e baletit shqiptar, e cila mbush plotë pesëdhjetë vjet nga koha e themelimit më 1957. E nëse asokohe, artistet e para që ushtronin profesionin e baletit do t’i shihje të shëndetshme e me kofshë të mbushura, sot të jesh e dobët, krahasimi i parë që të bëhet “qenke si balerinë”. Vitet padyshim sjellin ndryshimin, por dalëngadalë krijohet dhe historia. E për historinë e baletit, atë që nuk është askund e shkruar, një botim i plotë do të botohet këto ditë. Është një iniciativë e ndërmarrë nga drejtoresha aktuale e shkollës së baletit, Blerina Arbana, në bashkëpunim me Ferdinand Ndocaj. Është një botim që përfshin gjithë historinë e plotë të baletit shqiptar, të themeluar në 1957 nga pesë artistët e njohur shqiptarë Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Ganimet Venderesha dhe Xhemil Simixhiu deri në ditët e sotme. Një botim që përmban dhe listat emërore të të gjithë studentëve të kësaj shkolle, qofshin edhe nga ata që e kanë lënë përgjysmë shkollën, apo listë emërore e pedagogëve. Së shpejti botimi do të promovohet në një ceremoni të veçantë ku sipas Arbanës, do të ndahen edhe trofe për ata që bënë historinë e këtij arti në Shqipëri.
Sot për sot nuk disponojmë një histori të baletit shqiptar? Projekti juaj ç’përmbush?
Unë vetë kam qenë mësuese në këtë shkollë, dhe në momentin kur u zgjodha drejtore mendova se mungesa e një historiku është një nga pikat më të dobëta të këtij institucioni. Mendova se gjëja më vendimtare e imja si drejtuese është të bëja një botim historik të shoqëruar edhe me fotografi. Të mendosh që shkolla e baletit ka qenë e themeluar nga 1957, të mendosh që shumë nxënës të kësaj shkolle interpretojnë në skena prestigjioze. Fëmijët e kësaj shkolle duhet të mësojnë përveç praktikës edhe anën teorike, se kush ka qenë balerini i parë në shkollë apo themeluesit e parë. Por këto nuk kanë qenë të dokumentuara diku.
Të shkruash historinë e ‘50 viteve nuk është e thjeshtë! Ju vetë ku jeni bazuar, ç’arkiva keni shfrytëzuar, si do të vijë ky botim?
Dihet që arkiva ishte mëse e pamjaftueshme, për të mos thënë bosh fare, ku nuk ekzistonte asgjë. U detyrova t’i bëj një telefonatë artistit të njohur Petrit Vorpsit, si ish-drejtor i parë i kësaj shkolle dhe i them: “Nuk disponoj asgjë, ku mund të adresohem, çfarë mund të bëj”?! Më thotë se kishte lënë një metodë e mënyrë të punuari në shkollë, të shkruar me dorë në arkiv, por që natyrisht nuk ndodhej. Atëherë mu desh të bëja një tjetër zgjidhje. U interesova me mjaft njerëz dhe mësova për Ferdinandin, i cili kishte shkuar diçka për baletin, e takova dhe i propozova projektin tim. Të dy bashkë menduan dhe gjetëm një rrugë të përbashkët të trokisnim në Teatrin e Operës dhe Baletit se aty do të gjenin një pikënisje, duke menduar se pedagogët që kanë qenë të jashtëm në shkollë kanë qenë dhe debutant, solist...aty na ndihmoi shefi i arkivit Zamir Këlliçi, me disa fotografi, por deri në një lloj pike, pasi aty çdokush kishte kurrikulin e tij, por jo një histori të metodës si ishte punuar. Më pas na u desh të takonim artistë të veçantë, në shtëpi a në kafene dhe nga ta të merrnim historinë, ta ndërtonim, ta ballafaqonim e më pas ta shkruanim të bazuar në shumë tregime. Ka qenë një punë e menduar gjatë, që padyshim ka zgjatur për dy vite.
Çfarë përfshihet në këtë botim, si është i ndërtuar?
Është gjithsej 320 faqe. Por veç tij do të ketë edhe një album fotografik, me foto të cilat i kemi mbledhur nga arkiva e TKOB dhe arkivat personale të artistëve. Por në botimin historik, është e përfshirë edhe komplet lista emërore e gjithë nxënësve që kanë qenë, që nga balerinët e parë, për të cilën jemi lodhur jashtëzakonisht, pasi nuk dispononim të dhëna, qoftë edhe të atyre që e kanë nisur dhe e kanë lënë përgjysmë shkollën, por edhe gjithë lista e pedagogëve që kanë dhënë mësim në këtë shkollë.
Si ishte të bëje balet në 1957 dhe si është të bësh sot?
Për balerinat dua të them se vajzat shqiptare atë kohë kanë thyer tabu. Jo çdokush e ka bërë këtë profesion atë kohë dhe një ndër to ishte dhe Zoica Haxho. Me të cilën jam lidhur me të, kur erdhi në Shqipëri pak kohë më parë, pasi jeton prej vitesh në Amerikë. Ajo më tregoi se si u themelua shkolla, nga pesë balerinët e parë, të cilët kanë qenë dhe promotorët e themelimit si Petrit Vorpsi, Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Zoica Haxho dhe Agron Aliaj. Këtu punohet me sistemin e Vaganovas, ndërkohë Petrit Vorpsi thotë se atëherë është punuar me metodologjinë e Meserenë. Ka pasur shumë gjëra pozitive, kemi qenë më ambicioz për veten dhe për shëndetin. Sot ne kemi futur trajtime në shkollë me dietologë të herëpashershme, pasi kemi shumë nxënës që nuk dinë çfarë hanë. Kemi filluar të arrijmë në një rendiment të mirë. Por është vazhduar në atë rrjedhë pune, tani ndoshta kemi hequr paksa “drurin”. Mua im atë, nëse nuk më shihte një thupër në vithe a kofshë, më thoshte: mësuesi nuk është marrë me ty dhe ti nuk ke punuar. Kur kam qenë pedagoge godita një nxënëse, pasi puna jonë ka dhe tensione, e më kanë hedhur në gjyq, ndaj nuk ka më ‘dru”.
Sot që edhe ju vetë e keni mësuar historinë e baletit, si është krijuar shkolla më 1957?
Të them të drejtën unë e kam ditur deri diku historikun, por padyshim jo të plotë. Në bazë të tregimeve dhe historisë së plotë që ne tashmë kemi krijuar, shkolla është themeluar më 1957 pasi u kthyen nga Moska, pesë artistët që përmendëm më sipër, që ishin dhe të parët e kësaj shkolle. Kur ishin në një aktivitet, ju është komunikuar që nuk do të kthehen në Shqipëri, por do të shkojnë në Moskë me studime. Sipas kujtimeve të Ganimet Vendreshës, i cili thoshte se fillimisht patën vështirësi me gjuhën, ishin vetëm 15 vjeç dhe ju duhej të punonim me nxënës më të mëdhenj në moshë. Madje, sipas tregimeve të tyre, iu është dashur të punojnë edhe dy vite në një vit. Pas kthimit në Shqipëri, vendosën të hapin shkollën këtu. Fillimisht ka pasur shumë rezerva për këtë shkollë, pasi quhej luks i madh, dhe fillimisht është punuar në Teatrin Kombëtar dhe më pas në Akademinë e Arteve, gjë e cila më pas do të sillte nevojën e një shkolle baleti. Më pas ka lindur nevoja për të ecur me një program të caktuar dhe më pas, brezi i parë që ka dalë nga kjo shkollë është atashuar në Teatrin e Operës dhe Baletit, e një pjesë u bënë kuadro.
Balerinët nëpër botë
Aris Golemi, Astrit Zejnati, Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, Eno Peçi, e shumë artistë të tjerë që sot fitojnë famën dhe suksesin nëpër skenat e botës janë bërë pjesë e këtij historiku, që do të promovohet së shpejti në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me të gjithë janë bërë intervista të gjata, për fillesat e tyre në këtë shkollë, për punën, sukseset që kanë arritur nëpër botë, e për jetët e tyre. Është një punë e gjatë e nisur që dy vite më parë, nga dy bashkautorët Blerina Arbana dhe Ferdinand Ndocaj, vepra e të cilëve aktualisht ndodhet në fazat e fundit të rishikimit, për t’u çuar mandej në shtypshkronjë. Ndërkaq është menduar për t’u bërë një promovim madhështor në TKOB, ku veç të tjerash do të ndahen edhe disa trofe.
Themeluesit
Ishin pesë. Studiuan për pesë vite në Moskë. Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho dhe Agron Aliaj. Dikur balerinë, më pas koreografë, pedagogë e mësimdhënës, mjeshtër të artit dhe baletit, që për vite me radhë shkëlqyen në skena të ndryshme. Pesë artistët shqiptarë ishin të parët që themeluan pas kthimit në Shqipëri shkollën e parë të baletit më 1957.