Sulmi në Pakistan, 500 kg eksploziv në hotelin e sigurisë
Pakistani ka përjetuar sulmin më të fortë të militantëve gjatë ditës së shtunë, ku humbën jetën 54 persona gjatë shpërthimit të 500 kg eksplozivi në hotelin “Marriot” në kryeqytetin Islamabad. Mediat e kanë përshkruar sulmin e së shtunës si “11 shtatori” i Pakistanit. Shpërthimi i eksplozivit masiv ka krijuar një krater 8 metra të thellë, para ndërtesës me 290 dhoma, të frekuentuar kryesisht nga të huajt. Mbi 250 persona janë plagosur si pasojë e sulmit, i cili ka ndodhur rreth orës 20:00 me orën lokale, ndërsa një kamikaz me një autobombë të mbushur me 500 kg eksplozivi ka hedhur veten në erë përpara hyrjes qendrore të hotelit, pak pasi presidenti i ri i Pakistanit mbajti fjalimin e parë përpara dy Dhomave përfaqësuese të parlamentit. Punëtorët e ndihmës së shpejtë po punojnë në gërmadhat e ndërtesës në përpjekje për të gjetur të tjerë të mbijetuar. Mes viktimave është edhe ambasadori çek në Pakistan. Ministria e Jashtme çeke njoftoi për vdekjen e ambasadorit Ivo Zadek në faqen e saj të internetit, pa dhënë detaje të tjera. Hoteli konsiderohej si një ndërtesë e një sigurie të lartë. Presidenti i vendit, Asif Ali Zardari, e quajti terrorizmin si një kancer, që qeveria e tij do ta eliminojë. Zardari u bëri thirrje vendeve demokratike ta ndihmojnë Pakistanin në luftën kundër terrorizmit. “Asnjë mysliman nuk mund të veprojë kështu në Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Këta njerëz nuk janë myslimanë. Islami, në fakt asnjë besim fetar, nuk e lejon gjakderdhjen e të pafajshmëve. Unë u bëj thirrje gjithë shteteve demokratike të na ndihmojnë për ta hequr qafe këtë sëmundje”, tha Zardari. Ndërsa kryeministri i Pakistanit, Yusuf Raza Gilani, siguroi se ekipet e shpëtimit do të vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar në rrënojat e hotelit. Ndërkohë, në Islamabad kanë nisur ceremonitë mortore për viktimat. Presidenti Bush, duke reaguar pas shpërthimit tha se, Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Pakistanin për t’i nxjerrë autorët para drejtësisë. Përgjegjësinë për sulmin ende nuk e ka marrë përsipër ndonjë grup, por Bush tha se ishte koha për t’u rifokusuar në përpjekjet për mposhtjen e Al-Qaeda-s.
Berisha dënon sulmin
Kryeministri Sali Berisha ka dënuar sulmin në Pakistan, si një akt terrorist, barbar që shënon një dëshmi tjetër të fytyrës së vërtetë të Al Qaeda-s. Ky akt, bashkë me akte të tjera të kohëve të fundit, siç ishte ai në Jemen, pranë ambasadës amerikane, dëshmojnë se lufta kundër terrorizmit drejt e në foletë e tij është vendimtare për të fituar betejën kundër armikut aktual më të egër ndaj njerëzve të lirë. Kryeministri Berisha bashkohet me dhimbjen e thellë të familjarëve të viktimave dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, si dhe i shpreh solidaritetin qeverisë pakistaneze në luftën dhe përpjekjet e saj kundër terrorizmit.