Gruevski sfidon Cërvenkovskin

Komiteti ekzekutiv i partisë në pushtet VMRO-DPMNE ka zhvilluar një mbledhje, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni.
Lideri i partisë dhe kryeministri aktual i Maqedonisë, Nikola Gruevski, deklaroi se është vendosur që sa më shpejtë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Zgjedhje do të kesh menjëherë dhe tani, pa vonesë, me dinjitet dhe virtytshmëri të pranosh. Eja në zgjedhje të shikojmë se kush është popullor, e kush jo popullor”, iu drejtua Gruevski kreut të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, për të cilin tha se, për pesë muaj me radhë duke blofuar kërkon zgjedhje të parakohshme.
Ai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë korrekte dhe demokratike dhe se nuk do të lejojë që qytetarët të jenë peng të ambicieve dhe interesave personale të Cërvenkovskit.
Pas mbledhjes së kryesisë qendrore të BDI-së dhe pas takimit të kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmeti me kryeministrin Gruevskin, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim do të shkojë në zgjedhje të parakohshme por vetëm në momentin kur do të arrihet konsensus i të gjitha partive politike.