E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup pune për hetimin e vdekjes së 17- vjeçares nga Korça



Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për hetimin e vdekjes së vajzës 17 vjeçare nga Maliqi i Korçës. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të veçantë pune për zbardhjen e shkakut të vdekjes së 17-vjeçares, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në QSUT. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku, sqaroi se grupi i posaçëm i punës po mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm mbi mënyrën e ndërhyrjes në bajame me qëllim gjetjen e shkakut të vdekjes. Sipas tij, pritet që Ministria e Shëndetësisë të përgatisë një raport të detajuar për ngjarjen, zbardhja e të cilës ka nisur edhe nga Mjekësia Ligjore. Ndërsa prokuroria ka nisur menjëherë hetimet që çuan adoleshenten në humbjen e jetës. Mjekësia ligjore, ka kryer autopsinë për të përcaktuar shkaqet, ndërsa kartelat mjekësore të klinikës së Pogradecit dhe QSUT-së janë në dorë të hetueseve. Ndërkohë që prindërit e vajzës akuzojnë mjekun për ndërhyrje të gabuar kirurgjikale, si pasojë e së cilës vajza e tyre humbi jetën.
Ngjarja
Vajza është operuar nga bajamet pesë ditë më parë në një klinikë private në qytetin e Pogradecit, ku më pas ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar në spitalin e Tiranës, ndërsa familjarët e saj dyshojnë se shkak i vdekjes ka qenë pakujdesia gjatë mjekimit. Mirela Petriti, iu nënshtrua një operacioni të premten e kaluar në një klinikë private ORL në qytetin e Pogradecit, ku punon mjeku Xh. Hoxhallari. Ndërkohë pas ndërhyrjes kirurgjikale gjendja e adoleshentes u përkeqësua dhe në këto kushte ajo u dërgua në QSUT, ku dhe ndërroi jetë. Mësohet se mjeku specialist i ORL-së Xh. Hoxhallari ka të paktën një stazh pune prej 10 vitesh në klinikën e tij private në qytetin e Pogradecit. Ai kishte ndërprerë punën në spital dhe ushtronte aktivitetin privat, pas një specializimi jashtë shtetit.
Akuza
Babai i 17-vjeçares ka akuzuar publikisht mjekun që kreu ndërhyrjen, në klinikën private në Pogradec. Sipas prindërve, vajza u operua nga bajamet në këtë klinikë para 4 ditëve. Por, pas operacionit vajza kishte hemorragji të madhe dhe për këtë arsye e transportuan për në QSUT, për një ndërhyrje më profesionale, e cila u operua dhe tre herë të tjera. Gjithçka rezultoi fatale për vajzën, e cila nuk mundi t’iu mbijetonte komplikacioneve të mëdha. Kjo nuk është hera e parë që prindërit, denoncojnë mjekët, por janë dhjetëra raste të tilla, që çojnë në bankinën e të akuzuarve mjekët. E ndërkohë që asnjëherë nuk janë marrë masa ndaj mjekëve, të cilët vazhdojnë të operojnë apo të kenë në dorë jetët e të tjerëve. Për verifikimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, pritet vendimi i specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët do të japin rezultatet përfundimtare.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›