Grupi COTECNA i prezanton Kryeministrit projektidenë për instalimin në pikat doganore të sistemit të kontrollit përmes skanimit
Kryeministri Berisha priti sot përfaqësues të grupit zviceran COTECNA, lider në fushën e rritjes së transparencës dhe kontrollit doganor nëpërmjet sistemit të skanimit në pikat kufitare, të kryesuar nga zëvendëspresidenti i sja Didier Reymond.
Zoti Reymond i prezantoi Kryeministrit aktivitetin dhe projektpropozimin për t’u shtrirë me një investim privat të tyre edhe në Shqipëri, për të instaluar, bashkëmenaxhuar dhe mirëmbajtur një sistem, i cili garanton standarde europiane, siguri dhe transparencë në kontrollin doganor të mallrave, në pikat e kalimit kufitar. Sisteme të tilla, të aplikuara në vende të ndryshme të botës, ndihmojnë në rritjen e të ardhurave nga doganat dhe në shkurtimin e kohës së kalimit të mallrave për bizneset. Shqipëria, sipas zotit Reymond, ka tërhequr vëmendjen e kësaj kompanie si vendi që po lufton me konseguencë dhe efikasitet korrupsionin, që prezanton standarde të reja europiane dhe transparencë në të gjitha llojet e shërbimeve. Në këtë kuadër, kjo kompani pa si prioritare shtrirjen e këtij sistemi në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i falënderoi për vëmendjen dhe projektpropozimin e përgatitur, në lidhje me menaxhimin efikas dhe transparent të procesit të kontrollit doganor në kufi. Kryeministri theksoi se lehtësimi i bizneseve, transparenca dhe korrektesa në raport me bizneset është në qendër të vëmendjes së qeverisë. Ai siguroi që propozimi i tyre do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga strukturat kompetente të qeverisë dhe do të mbështetet në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
02/09/2010