E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE, PËR KRIJIMIN E REZERVAVE STRATEGJIKE TË LËNDËS DRUSORE NË KËMBË

V E N D I M

PëR


PëRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE Të PROCEDURAVE, PëR KRIJIMIN E REZERVAVE STRATEGJIKE Të LëNDëS DRUSORE Në KëMBë

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 8, të nenit 26, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e rezervës strategjike, me rëndësi kombëtare, të lëndës drusore në këmbë, për t’u përdorur vetëm në raste emergjente, për plotësimin e nevojave të ekonomisë për lëndë drusore dhe furnizimin e popullatës me dru zjarri e lëndë ndërtimi.

2. Rezervat strategjike, me rëndësi kombëtare, administrohen nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjes vendore.

3. Ngastrat dhe nënngastrat pyjore, në pronësi publike, që do të shërbejnë si rezervë strategjike të lëndës drusore në këmbë, të përbëjnë jo më pak se 10 për qind të sipërfaqes e 15 për qind e vëllimit të lëndës drusore të pyjeve shtetërore, si dhe jo më pak se 10 për qind të sipërfaqes e vëllimit të lëndës drusore të pyjeve, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, dhe të caktohen sipas kritereve të mëposhtme:

a) të jenë në përputhje me plotësimin e nevojave për të përballuar rastet emergjente;
b) të jenë sa më afër qendrave të banuara, të kenë një shpërndarje homogjene, sipas ndarjes administrative të territorit të Republikës;
c) të jenë të përshkueshme me rrjet rrugor, që mundëson përdorimin e tyre në çdo kohë, dhe të mos jenë zona me rrezikshmëri të lartë për t’u prekur nga zjarri.

Shfrytëzimi i lëndës drusore nga rezervat strategjike bëhet për rastet e emergjencave të mëdha, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.

4. Procedurat që duhet të ndiqen për krijimin e rezervave strategjike janë:

a) Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjeve vendore përcaktojnë ngastrat dhe nënngastrat që do të shërbejnë si rezerva strategjike të lëndës drusore në këmbë;
b) Ngastrat dhe nënngastrat që do të shërbejnë si rezervë strategjike të lëndës drusore në këmbë miratohen nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në bazë të studimit dhe të planeve të mbarështimit, që do të kryhen për këtë qëllim nga strukturat në varësi të saj, brenda një viti nga dalja e këtij vendimi, dhe rishikohen çdo 10 (dhjetë) vjet;
c) Rezervat strategjike të miratuara duhet të menaxhohen sipas objektivave të përcaktuara në këto plane;
ç) Në pyjet e përcaktuar si rezerva strategjike ndalohet të kryhen ndërhyrje silvikulturore, me përjashtim të prerjeve sanitare, ndalohet kullotja, ndezja e zjarreve, dhënia në përdorim, heqja nga fondi pyjor si dhe ushtrimi i veprimtarive të tjera të çfarëdo lloji.

5. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


01/09/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›