Grupi italian INCANTO i shpreh Kryeministrit interesin për ndërtimin e një kompleksi të prodhimit të mobilieve luksoze
Kryeministri Berisha priti sot një grup përfaqësuesish të grupit italian të prodhimit artizanal të mobilieve luksoze INCANTO, të kryesuar nga Presidenti i saj Giovanni Sforza.
Presidenti i kompanisë uroi Kryeministrin Berisha për sukseset e Shqipërisë në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike. Treguesit vazhdimisht stabël dhe pozitivë të këtij sektori, tha zoti Sforza, bënë që kompania e jonë të mendojë dhe të vendosë paraprakisht për të shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri, nëpërmjet ndërtimit të një kompleksi të prodhimit artizanal të mobilieve për t’u tregtuar në vende fqinje si Greqia, në Maltë, në vendet e Europës Jugore, si dhe të Afrikës. Projekti i propozuar ka një vlerë investimi prej 20 milion euro dhe parashikon 900 vende pune. Zoti Sforza tha se fuqia punëtore e kualifikuar dhe klima e biznesit janë elementë që kanë tërhequr vëmendjen e këtij grupi, për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i falënderoi për zgjedhjen e Shqipërisë si vend i investimit të tyre dhe ju prezantoi situatën ekonomike dhe rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria e tij. Kryeministri i garantoi se qeveria do të mbështesë realizimin e projektit të tyre në kuadrin e ligjeve shqiptare dhe standardeve ndërkombëtare. Kryeministri ju bëri të ditur lehtësirat e bërjes biznes në Shqipëri, si toka, një euro, kur ajo është publike, taksat e ulëta etj..
02/09/2010