Një shfaqje danc teatri në Akademinë e Arteve
Jo vetëm balerinë profesionistë, por edhe persona me aftësi të kufizuara janë ngjitur mbrëmjen e së hënës në skenën e Akademisë së Arteve, në një shfaqje danc-teatri. British Council Albania në bashkëpunim me Fondacionin Vodafone Albania dhe Fondacionin shqiptar për të “Drejtat e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara” po organizojnë javën “Promovojmë Gjithëpërfshirjen”. Një sërë aktivitetesh në disa qytete të vendit, të cilat synojnë të rrisin më tej ndërgjegjësimin publik për të kuptuar dhe mbështetur më shumë atë pjesë të komunitetit tonë që përballet me vështirësi si pasojë e kufizimit të aftësive të tyre. Gjatë mëngjesit të djeshëm në Tiranë u organizua një debat ballafaques mes politikëbërësve dhe aktorëve të tjerë të interesuar, ku merrnin pjesë Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, britanikja Fiona McIlëham, Ministri Spiro Ksera, Presidentia e Fondacionit të “Fëmijëve Shqiptarë” Znj. Liri Berisha, Zv/ministrja e Arsimit Znj Nora Malaj, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, Albi Greva. Këto aktivitete kulmuan në Akademinë e Arteve në mbrëmje, me një performance dansi nga grupi “StopGAP UK” dhe “Albania Dance Theater Company”. Krahas artistëve profesionistë u ngjitën në skenë edhe persona me aftësi të kufizuara, duke përforcuar mesazhin e shfaqjes.