Përplasja për pronën rrezikon Cirkun e Metropolit
Cirku i Metropolit rrezikon të mbyllet. Në një kohë kur ai rigjeti edhe një herë veten, duke rikthyer kah vetes sërish spektatorët, çështja e pronësisë, vë në dyshim jetëgjatësinë e tij. Ndërsa gjykata ia ka kthyer tokën ku ngrihet çadra, pronarit të dikurshëm, drejtuesit e Cirkut kërkojnë që ata të kompensohen në bazë të ligjit, ashtu si është bërë edhe në rastin e institucioneve të tjera të kësaj rëndësie. “Cirku është në një truall me pronar, ashtu si janë shumë objekte të rëndësishme të kulturës shqiptare. Shteti ka zbatuar ligjin e kompensimit të tokës për objekte të vlerës së veçantë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse të zbatohet ligji i pronës, sipas të gjitha rregullave të shtetit shqiptar”, është shprehur për mediat udhëheqësi artistik i Cirkut, Fatos Roshi. Problemi ka nisur shumë vite më parë, kur pronarët e parë të këtij trualli ia kanë shitur atyre të rinj. çështja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku ka fituar pronari i truallit. Tashmë çështja është kaluar për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa drejtues të cirkut mbeten të shqetësuar sesi do të shkojë fati i “Arenës së Cirkut”, e cila prej disa vitesh ka treguar se është ristrukturuar dhe është bërë një institucion i rëndësishëm kulturor. Por pavarësisht kësaj, pronësia e tokës, ka mbetur një çështje e pazgjidhur ende. Ky truall, i cili ka pronarë të ligjshëm nuk është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por duke marrë atributet e objektit të një vlere të veçantë, është në pronësi të shtetit shqiptar. Drejtues të cirkut mbeten me shpresën se kjo çështje do të zgjidhet brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, në mënyrë që ky institucion i rëndësishëm të vazhdojë të kryejë detyrën e tij, në vendin në të cilin është ndërtuar, që nga periudha e qeverisjes së Mbretit Zog.