Ndoka: Kemi zhvilluar bisedime me PD
03/03/2005 Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, ka pranuar dje se ka pasur bisedime mes tij dhe krerëve të lartë të Partisë Demokratike, për një bashkëpunim të mundshëm mes reformatorëve dhe demokratëve në zgjedhjet e ardhshme. Ndoka tha se këto lëvizje po bëhen me qëllim që të arrihet një fitore nga opozita në zgjedhjet e ardhshme, rezultat që, sipas tij, vjen vetëm nga bashkimi i opozitës. "Midis Partisë Demokratike dhe PDR-së ka patur bisedime jozyrtare mbi mundësinë e formimit të një koalicioni të ardhshëm, por këto bisedime nuk kanë marrë fund ende", tha Ndoka. Vetëm pak ditë më parë, kryetari i PDR-së, Pollo, i dërgoi një letër kryetarit të PD-së, Berisha, me anë të së cilës kërkohej bashkëpunim mes dy partive të opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, nga ana e liderit demokrat ende nuk është dhënë një përgjigje konkrete për këtë çështje.