Grupi, aty ku djemtë marrin zemër të rebelohen dhe vajzat, intimitet
Autori i Lajmit: D.KonaNë grup integrohen dukuri të ndryshme, si: pashpirtësia dhe bujaria, guximi dhe frika. Gjithashtu ka raste kur në të bie instinkti i vetëmbrojtjes.Nuk ekziston koncepti i pamundësisë. Çdo gjë është e mundshme për grupin.
Adoleshenti nuk e mednd dot veten jashtë një grupimi shoqëror. Duke marrë pjesë në grup, fitohet siguri dhe identitet me një model pak a shumë të ndryshëm nga ai që kërkojnë prindërit. Për djemtë, grupi është mjedisi ku mund edhe të rebelohen, ndërsa për vajzat është vendi i përshtatshëm ku mund të krijojnë lidhje të rëndësishme për të ardhmen e tyre. Ngjitja e ndikimi vjen si pasojë e sugjestionimit. Individi humb personalitetin koshient dhe u bindet sugjerimeve të të tjerëve, kryen aksione që janë në kundërshtim me temperamentin e zakonin e tij. Individi, si rezultat i entuziazmit të masës në të cilën ndodhet, bie në një gjendje të ngjashme me atë të të hipnotizuarit. Në raste të tilla, ai nuk është më i vetëdijshëm për atë që bën. Tek një individ në gjendje të tillë, disa aftësi mund të shtyhen deri në një shpërthim ekstrem, ndërsa disa aftësi të tjera mund të humbasin. Ndikimi i sugjestionit e çon individin të kryjë me vrull disa akte, tek ai bie aftësia e ushtrimit të vullnetit. Mënyra më e mirë për të interpretuar sugjestionimin dhe ndikimin, është bashkëveprimi reciprok i individëve. Njeriu, e aq më tepër adoleshenti, në grup është më instinktiv: shpërthyes, entuziast, heroik. Është vërtetuar se gjenden pika krahasimi ndërmjet psikikës së fëmijëve dhe të primitivëve. Në grup integrohen dukuri të ndryshme, si: pashpirtësia dhe bujaria, guximi dhe frika. Gjithashtu ka raste kur në të bie instinkti i vetëmbrojtjes.
Dëshirat janë apasionante, por nuk zgjasin shumë. Nuk ekziston koncepti i pamundësisë. Çdo gjë është e mundshme për grupin. Ndjenjat në të janë të ekzagjeruara, dyshime dhe paqartësi nuk ka. Kalohet shumë shpejt në ekstreme, dyshimi më i vogël shndërrohet shpejt në evidencë, një antipati e thjeshtë shndërrohet në urrejtje të egër. Masa eksitohet vetëm nga ngacmues të ekzagjeruar. Kush dëshiron të veprojë në grup, duhet të pikturojë me ngjyra të theksuara, të përsërisë dhe të zmadhojë. Individët në kuadrin e një mase, kërkojnë nga lideri i tyre vetëm forcën. Në grup idetë kontradiktore mund të qëndrojnë njëra pranë tjetrës pa paraqitur një konflikt. Në grup nevojiten iluzionet. Sipas studiuesve, edhe në botën e kafshëve kur janë në një grup, instinktivisht i nënshtrohen autoritetit të një prijësi. E njëjta gjë ndodh tek njerëzit. Prijësi do të ketë një fuqi misterioze, që është quajtur prestigj. Çdo prestigj varet nga suksesi e humbet nga dështimi. E gjithë kjo analizë na ndihmon për njohjen e adoleshentëve, të mënyrës si ata aktivizohen në grupe të caktuara që në disa raste të ndërhyhet për të modifikuar sjelljet ekstreme.
Psikologjia e grupit, drejton pandërgjegja
Ka ide dhe ndjenja, të cilat lindin e shndërrohen në akte vetem tek të rinjtë që bëjnë pjesë në një masë ose në një grup të caktuar individësh. Masa ose grupi nga ana psikologjike është një krijesë e përkohshme e përbërë nga elementë heterogjenë, të bashkuar për një moment, ashtu si qelizat formojnë një trup me jetë.
Është e natyrshme që individi të modifikohet në grup ose në masë. Pra, ai dallohet nga individi i izoluar. Shkaqet e këtij modifikimi gjenden tek dukuritë të pandërgjegjshme, të cilat drejtojnë jo vetëm jetën organike, por edhe funksionimin e inteligjencës. Jeta e ndërgjegjshme e subjektit përbën një pjesë të vogël në krahasim me jetën e pandërgjegjshme, por ne mundemi të zbulojmë vetëm një pjesë të motiveve të saj. Pjesa më e madhe e aksioneve tona janë efekte të motiveve të panjohura, që nuk i kapim dot. Në grup, tiparet individuale shkojnë drejt zhdukjes dhe bie mënyra e të ndodhurit specifik. Ka studiues që mendojnë se individi në grup manifeston karakteristika të reja dhe e kërkon arsyen në faktorë të ndryshëm. Në grup ose kolektiv ai ndjehet i fortë, qoftë edhe nga prania e të tjerëve, fakt ky i cili ndikon që individi të çlirojë instinkte të cilat i vetmuar s do t i realizonte kurrë. E gjithë kjo ndodh sepse në grup në një farë mënyre ndjehet anonim dhe ndjenja e përgjegjësisë individuale duket se zhduket.
Përmasat e grupit, që zëvendësojnë mbrojtjen e familjes, mbeten përvoja me vlerë të adoleshentëve. Këto gjithmonë janë karakterizuar nga zbulimi i përmasës së madhe etike të dashurisë dhe miqësisë për të realizuar detyrime, shoqëri paralele me atë të të rriturve. Forca e grupit për çdo të ri apo të re është një instrument i pazevendësueshëm, i jashtëzakonshëm për realizimin e vetvetes.
Në disa raste, varësia nga grupi krijon tepër shqetësime. Shpirti dhe historia e grupit që djemtë kanë ndarë në mes tyre, krijon aksione me efekte të çuditshme për amortizimin e mërzisë e të trishtimit, duke i nxitur të ndërmarrin veprime që jo rrallë janë të padëshirueshme, të cilat lidhen me aksione, sfida, përdorim të lëndëve narkotike dhe dukuri të tjera shqetësuese për familjen e shoqërinë.
Motivimet për funksionimin e një grupi
Adoleshentët e së njëjtës moshë i bazojnë raportet e vazhdueshme mbi interesa, përvoja e vlera të rëndësishme për gjithë grupin dhe personin. Këto karakteristika u përkasin grupeve formale, ndërsa në ato informale, pjesëmarrja është e rastësishme dhe pa raporte të qëndrueshme me njëri-tjetrin. Në një grup ku arrihet të ketë vlerësim e qëndrim brenda normave të shoqërisë, pra në ato grupe që shpesh quhen si të ndërtuara mbi parime të drejta, adoleshentët arrijnë të përballojnë vështirësitë, rreziqet, të shkëmbejnë mendime dhe përvoja. Një grup i tillë u jep diçka që askund nuk gjendet. Atje shprehen lirshëm, bëjnë çfarë duan pa u bezdisur, mbështeten te njëri-tjetri në çdo vendim, formojnë identitetin krejt ndryshe nga sa realizohet në familje apo në shkollë. Janë këto disa nga arsyet kryesore, pse adoleshentët nuk tërhiqen nga grupi i tyre. Por ky grup ka edhe rregulla që të funksionojë.
♦ Qëndrimi së bashku i moshatarëve
♦ Komunikimi në mes tyre
♦ Prania e kushteve të besueshme për t u shprehur lirshëm, hapur, pa frikë
♦ Kryerja e gjërave interesante që u pëlqejnë
♦ Ndarja e vlerave të njëjta
♦ Përballimi i vështirësive etj.
Rregullat e grupit
♦ Të mos tradhtosh besimin e shokëve
♦ Të mos veprosh vetëm për interesat e tua
♦ Të respektosh rregullat e përbashkëta
♦ Të mos ndërhysh në zgjedhjet e të tjerëve
♦ Të mos hapësh sekretet
♦ Të mos paragjykosh pjesëtarët e grupit
♦ Të mos kryhesh veprime të papranueshme për tërë grupin
♦ Të mos krijosh dualitete me grupe të tjera etj
Sa e vështirë të njohësh adoleshentin e sotëm
Njohja e adoleshentëve është problem mjaft kompleks. Ndryshimi i vazhdueshëm i mënyrës së jetesës, zhvillimi i teknologjive të reja në fushën e telekomunikacionit etj., ndikojnë që të gjendemi përballë një realiteti, të cilin e përjeton adoleshenca e sotme, i pakrahasueshëm në disa aspekte me realitetin e adoleshencës së prindërve. Dëgjohet gjithmonë nga prindërit që ankohen se fëmijët e tyre po i çon në rrugë të keqe shoqëria me të cilën shoqërohen. Është e vertetë se në shumë raste ndodh kështu. Por ky rrezik nuk
e përligj mbylljen dhe veçimin që shpesh disa familje u bëjnë fëmijëve. Në këtë kuptim, është e pamundshme të mos gabosh. Pasi mundësia e orientimit të adoleshentit është e madhe si përsa i përket sjelljes, ashtu për sa i përket përcaktimit të tij drejt një zgjidhjeje a profesioni shoqërisht të dobishëm.
Përgjegjësinë e këtij orientimi e kanë, në radhë të parë, shkolla, prindërit. Edhe ndihma e këshillimi i psikologut do të ishin me mjaft vlerë. Ky shqetësim emotiv është i dyanshëm dhe ndjehet si nga mësuesi, ashtu edhe nga nxënësi.
Moshatatarët e rregullt, “viktima” të talljeve
Një dukuri tjetër, që ndeshet në kolektivat e të rinjve në ditët tona, është dhe qëndrimi fyes ndaj një pjese të shokëve. Nuk janë të paktë të rinjtë në shumë shkolla që fyejnë, ngacmojnë, tallin të tjerët, shpesh duke shkaktuar zënka dhe grindje të mëdha. Ata argëtohen me shqetësimet që u shkaktojnë të tjerëve. Viktima të këtij qëndrimi shpesh janë të rinj që karakterizohen si të rregullt. Shpesh ndodh që, ndonjë nga kjo kategori të rinjsh shqetësohet shumë, deri sa të shpërthejë edhe në të qara. Por kjo gjendje mund të nxisë që të ngacmohen edhe më shumë. Të humbasësh respektin për veten, kurajon etj., thjeshtë për shkak të ngacmimeve të disa të rinjve, nuk është rruga e duhur. Mënyra më e mirë për të shmangur një sjellje të tillë me fyerje, është të përgatiten t i përjetojnë ato me indiferencë të plotë. Fyerja ndaj të tjerëve buron nga pasiguria, xhelozia dhe mungesa e respektit për veten.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007