E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria në adoleshencë, e idealizuar dhe frymëzuese vlerash

Autori i Lajmit: D.KonaPjekuria e adoleshentëve shoqërohet me ndjesi të reja. Sa më tepër të rinjtë fitojnë pavarësi nga të rriturit, aq më shumë kërkojnë ta plotësojnë këtë me mbështetjen tek bashkëmoshatarët, e shprehur me kahe drejt sekseve të kundërta, e cila kushtëzohet edhe nga nevoja për plotësim. Prirja për të siguruar sa më shumë shokë rreth vetes, është e lidhur me pasigurinë dhe frikën ndaj vetmisë. Kjo dukuri është më e shprehur sidomos tek djemtë. Është krejt e natyrshme, që në përzgjedhjen e shokëve në këto momente të mbahet një qëndrim më i përcaktuar se në moshën e fëmijërisë. Nevoja për një shok të ngushtë është e madhe,
por edhe lënia e tyre është me frekuencë të lartë. Shokët e lojës në këtë kohë bëhen tepër të afërt, me të cilët realizohet imitimi dhe krahasimi. Adoleshentët që kanë liri më të madhe, kanë mundësi t i zgjedhin shokët e duhur jashtë lagjjes, sepse është koha kur ndjehet nevoja për më shumë hapje, më shumë hapësirë
për të ndarë me ta probleme e interesa të ngushta. Edhe komunikimi ka një nivel më të ngritur. Ai përmban, ndër të tjera, romantizëm. Përjetimet romantike luajnë një rol të madh për formimin e personalitetit dhe vetë afirmimin e rritjes. Zgjedhja e shokut ose shoqes bëhet me fantazi dhe kujdes për të mos pësuar zhgënjim, sepse përvojat negative të fëmijërisë kanë lënë pasojat e tyre. Prandaj, vërehet prirja për të gjetur shokë me moshë pak më të rritur se vetja.
Shoqëria, mes pasionit dhe gjykimit
Në lidhjet shoqërore ka intensitet, emocion deri edhe pasione, të cilat pengojnë njohjen reale të cilësive të bashkëmoshatarëve. Zgjedhja në këtë moshë bëhet e nxitur nga nevoja dhe përshtatshmëria, që kanë të bëjnë me shprehitë e sjelljes, veshjen, aftësitë, gjendjen ekonomike etj. Ndrojtja dhe turpi janë cilësi karakteristike të adoleshentëve, të cilat lidhen më tepër me ankthin shoqëror. I riu e sheh veten në qendër të vëmendjes së opinionit shoqëror. Prandaj i krijohet ndjesia, sikur të gjithë e vështrojnë atë për mënyrën si sillet e vepron, kur po bën ndonjë gabim, si vlerësohet, pranohet apo kundërshtohet nga shoqëria etj. Origjina e këtyre sjelljeve gjendet jo vetem në të kaluarën fëminore, por kryesisht në situatën familjare, në të cilën rritet adoleshenti. Lindja e interesit për t u pëlqyer sa më tepër të tjerëve, ndryshimet në planin fizik e fiziologjik, pavarësisht nga ritmet e zhvillimit, të cilat janë të ndryshme tek individë dhe sekse të ndryshme, kanë të veçantën e tyre dhe luajnë një rol të ndjeshëm në këtë moshë. Në komunikim me njëri-tjetrin, adoleshentët, kur ndeshen e përballen me indiferentizëm, fillojnë e mbyllen në vetvete. Prandaj dhe veprojnë shpesh në kokën e tyre. “Këtu duhet të tregohet kujdes, se nëse kemi raste të përsëritura të këtyre marrëdhënieve, shkaktohen trauma shpirtërore të pariparueshme. Në këto raste ndihma e prindërve dhe mësuesve është e pazëvendësueshme”, thotë studiuesi Ndue Kaza
Vlerësimi i raporteve shoqërore
Në moshën e adoleshencës parapëlqehen raportet me më pak bashkëmoshatarë, por më intime, më të përcaktuara, më të idealizuara dhe të ndërsjella. Në këtë periudhë fillon të kristalizohet vijëndarja e shijes me dëshirat. Ajo që dallohet qartë për meshkujt, është se vlerësohet si e rëndësishme veprimtaria e përbashkët, ndërsa për femrat tipar i veçantë është besimi dhe afrimiteti. Mbi këto linja formohen grupe adoleshentësh me rregulla të brendshme të përcaktuara, me qëllime e aspirata të përbashkëta. Sjellja trasgresive vlerësohet normale dhe detyrim për çdo anëtar që merr pjesë në një grup. Grupet mund të formohen edhe në mënyrë krejt të rastësishme. Por në mosha më të rritura krijohen grupe formale me objektiva specifikë dhe në brendësi të tyre mund të ketë edhe të rinj me moshë më të lartë. Veprimtaria e këtyre grupeve mund të jetë e lidhur me interesa të larmishme: sportive, kulturore, fetare, politike etj. Në marrëdhënie të tilla ndërpersonale me kalimin e kohës çdo lloj agresiviteti fillon e bie.
Më thuaj me kë rri, të të them se cili je
Kjo shprehje, më tepër se për çdo gjë vlen për moshën e adoleshentit. Deshifrimi i sjelljes dhe i veprimeve të secilit prej tyre është i pamundshëm, pa njohur grupin në të cilin ai bën pjesë dhe kryen veprimtari. Shoqërimi i vazhdueshëm i adoleshentëve në grupe, megjithëse në disa raste nxit sjelljet kundër rregullave, është i një rëndësie të pazëvendësueshme për zhvillimin e përshkallëzuar e të gjithanshëm të personalitetit të tyre. Puna në grup dhe, përgjithësisht, veprimtaria e grupit nxit e zgjon tek anëtarët e tij interesa të ndryshme të karakterit njohës. Ambicja e konkurrenca ndërmjet pjesëtarëve të grupit luan rol motivues. Me mjaft vlerë janë debatet rreth njohurive të marra në shkollë, diskutimet rreth filmave, librave, veprimtarive të ndryshme etj. Janë të padiskutushme vlerat e veprimtarive sportive për zhvillimin fizik, që të rinjtë i realizojnë në kuadër të grupit ku përfshihen. Gjatë lojës forcohen besimi reciprok, lidhjet shoqërore edhe pse ato mund të mos jenë kompetitive.
Nga rreziqet e shoqërisë, në rreziqet e izolimit
Por veprimtaria e një grupi të caktuar adoleshentësh në raste të caktuara mund të kalojë në sjellje jonormale. Adoleshentët në të tilla raste mund të shfaqin sjellje që shoqëria i dënon. Largimi nga orët e mësimit ose nga shkolla, përfshirja në akte të dënueshme, përdorim a trafikimi i lëndëve narkotike etj., janë dukuri të cilat mësuesit, prindërit dhe e gjithë shoqëria, në tërësi, përpiqen t i frenojnë dhe t i parandalojnë. Ka shumë raste, që prindërit nga frika ndaj ndikimit prej këtyre dukurive, t i izolojnë fëmijët, gjë që sjell
pasoja më të dëmshme, sepse kështu frenojnë zhvillimin e tyre shoqëror. Pra, zhvillimi i personalitetit të adoleshentit është një dukuri komplekse, që mund të përsoset, po të ketë një qëndrim me përgjegjësi të lartë nga ana e mësuesve dhe prindërve, të cilëve për t ia dalë mbanë, u duhet edhe një farë formimi i mjaftueshëm sociopsikologjik.

Zgjedhja e shokut, të ngjashëm me veten, por edhe krejt të ndryshëm
Të rinjtë shoqërohen me dikë më tepër, se me një tjetër. Në këtë moshë është karakteristike tërheqja ndaj një shoqërie të qëndrueshme, pas luhatjeve të shumta. Termi për shokë të ngushtë, këtu merr vlera. Kur janë të tillë, së bashku bisedojnë rreth gjërave intime, luajnë, shëtisin, shkojnë në shkollë etj. Një jetë pa shoqëri do të ishte një jetë boshe dhe e vetmuar. Ndikimi i shokëve në mënyrën e sjelljes, të veshjes, të të menduarit etj., është i lartë. Një studiues në fushën e psikiatrisë, Ricard Sarles, shprehet kështu: “Adoleshenca është një periudhë tranzicioni, në të cilën ndodh pjesa më e madhe e riorganizimit të trupit… Për të përballuar ngathtësinë e një trupi të ri dhe vazhdimisht të ndryshueshëm, shumica e adoleshentëve kërkojnë mbështetjen e të rinjve të moshës së tyre”. Megjithëse i zëvendësojnë shpejt shokët, adoleshentët kanë nevojë dhe kërkojnë shokun e ri që të bisedojnë, të merren vesh, të kuptojnë më mirë ç po ndodh, të përballojnë e të shpjegojnë gjendjet e tyre emocionale etj. Në përgjithësi, të rinjtë përpiqen të kërkojnë të ngjashmit për të qëndruar së bashku. Por ndodh edhe e kundërta, kur në lidhje të ngushtë secili përfaqëson pjesën plotësuese për tjetrin apo pjesën që i mungon secilit. Kjo ndodh edhe kur lidhjet bëhen menjëherë dhe të pastudiuara.

Çmohet besnikëria dhe sakrifica
Të rrëmbehesh nga pasionet dhe emocionet është e lehtë, t u thuash jo dëshirave të pahijshme, duke arsyetuar për pasojat për vete dhe për të tjerët, duhet forcë e madhe. Por jo gjithmonë shokët me të cilët shoqërohen të rinjtë, janë shokë të vërtetë. Një shok i tillë të paralajmëron për rrugën e gabuar, në të cilën mund të jesh futur. Shoku i vërtetë të kritikon, nëse nuk i pëlqen veprimet e tua. Një proverb thotë: “Besnike janë plagët e një shoku dhe të rreme të puthurat e një armiku”. Sinqeriteti është cilësia më e mirë, që vlerësohet të shoku, po kështu dhe sakrifica. Në një proverb tjetër shprehet qartë se: “Miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik”. Besnikëria është cilësia kryesore e një shoqërie të vërtetë, jo hipokrizia e goditja pas shpine.

Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›