E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria magjike në një natë… tragjike

Autori i Lajmit: A.MinjaOto Bariç, zhytet thellë në karrigen e tij në tribunën e “Qemal Stafës”. Skela, lëviz në fushë gati i painteresuar tashmë për lojën, duke mbuluar herë pas here fytyrën me duar. Mes tifozëve mund të dëgjohet edhe ndonjë “Shqipëri- Shqipëri” e vetmuar. Minutat e fundit të ndeshjes, janë gati surreale. 11-metërshi i humbur i ka bërë të gjithë të heshtin më keq se pas një humbjeje. Gjithçka që kishte ndodhur më parë në fushë, e thënë shkoqur: Shqipëria më e bukur e parë prej shumë vitesh, është shumëzuar me zero. Po ashtu ndeshja e madhe e Skelës, dyshja fantastike e mbrojtjes Dede-Curri, debutimi shpresëdhënës i Salihit, goli dhe sakrificat e Duros. Është harruar se kemi barazuar ndaj një kundërshtari që quhet Bullgari, një skuadër me futbollistë të jashtëzakonshëm të kalibrit Berbatov e Martin Petrov. Dhe mungesa e kualifikimit të tyre në këto eliminatore është një vepër ekskluzive jona (dy barazime). Shqipëria shkruajti mbrëmë një tjetër kapitull të arritjes së shkëlqyer në këto eliminatore. Euro 2008 e kuqezinjve ndoshta nuk do të mbahet mend për pikët (rekordi i të gjitha kohërave prej 14 pikësh, është tashmë lehtësisht I arritshëm) sesa për faktin se këto 10 ndeshje u kanë falur shqiptarëve kaq shumë emocione dhe krenari. Sidomos krenari. Sigurisht, një fitore përmes 11-metërshit të Skelës, do të ishte qershia mbi tortë e këtyre eliminatoreve, shpërblimi i merituar i gjenisë së Bariçit, i grupit cilësor që po krijohet. Por edhe pa të, Shqipëria mund të krenohet lehtësisht për skuadrën e saj, që duke u rinovuar ka thyer të gjitha ligjet e biologjisë: është bërë më e mirë. Nëse më parë do të ishim të kënaqur qoftë edhe me një “gjysmë barazimi” kundër skuadrave të kalibrit të Bullgarisë, mbrëmë arritëm një “barazim e gjysmë”, që është edhe kështu një tjetër hap i madh përpara…
“Oto, rri me ne”
Parulla e tifozëve kuqezi, të vetmit e organizuar në stadiumin “Qemal Stafa”, i thotë të gjitha. Kundër Bullgarisë, erdhi konfirmimi i radhës se skuadra e Shqipërisë, nuk mund të ketë asnjë trajner më të mirë për pankinën e saj. Gazetarët kanë pasur një mundësi të mirë, për ta kuptuar këtë, ndërsa Oto Bariç, e drejtoi Shqipërinë nga tribuna e “Qemal Stafës” shumë pranë tyre. Udhëzime të njëpasnjëshme, zhvendosje taktike, nerva dhe qetësi njëherësh. 75-vjeçari i Shqipërisë, që u nxor jashtë fushe me karton të kuq për faktin se u zu me gjyqtarin e katërt për një aut të zakonshëm, ka krijuar një ekip të shkëlqyer. Të aftë që edhe me shumë mungesa, pa yllin e ekipit, Lorik Canën, të zhvillojë ndeshjen e vet më të mirë kundër Bullgarisë. Pjesa e parë e Shqipërisë është një kryevepër. Bariç është i pafat që skuadra e tij del pa fituar, por krenar për lojën e zhvilluar.

Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›