E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi hetimor, shqyrtim kartelës mjekësore për vdekjen e 17-vjeçares



TIRANË - Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së pacientes 17-vjeçare nga Korça disa javë më parë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, janë përqendruar në shqyrtimin e kartelave mjekësore të saj. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur dje se grupi hetimor u ka vënë në dispozicion ekspertëve mjeko - ligjorë të gjithë praktikën mjekësore të ndjekur për këtë rast, si në klinikën e Pogradecit dhe të Korçës, ashtu edhe në Spitalin e Tiranës. Sipas këtyre burimeve, pas kësaj procedure hetuesit pritet të dalin në një konkluzion për pozicionin e mjekëve në këtë çështje. Matilda Petriti, 17 vjeçe, nga Korça, humbi jetën para disa javësh në spitalin “Nënë Tereza” si pasojë e një hemorragjie. Nga të dhënat hetimore rezulton se kjo shtetase i ishte nënshtruar më parë një vizite mjekësore në Spitalin e Korçës edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale (në bajame) në një klinikë në Pogradec. Ndërkohë që çështja penale ka për objekt hetimi veprën penale te “mjekimit të pakujdesshëm”.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›