E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KE-së: “Ja shkeljet e Shqipërisë për të drejtat e njeriut”



Komisionari për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Thomas Hammarberg, prezantoi dje raportin për situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në këtë dokument, komisionari Hammarberg nënvizoi hapat pozitivë të ndërmarrë nga autoritetet shqiptare për të mbrojtur të drejtat e njeriut, por ai ka shprehur gjithashtu disa shqetësime dhe probleme që po kalon Shqipëria në këtë drejtim. Në veçanti ai bëri disa rekomandime për funksionimin e sistemit gjyqësor, sjelljes së policisë, kushteve të paraburgimit, të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtjen kundër diskriminimit, për të drejtat e fëmijëve dhe grave, trafikun e qenieve njerëzore si dhe lirinë e të shprehurit.
Komisionari Hammarberg nënvizoi se pavarësisht përmirësimeve legjislative, korrupsioni vazhdon të mbetet një problem kyç në sistemin gjyqësor. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për rastet e keqsjelljes nga ana e policisë dhe keqtrajtimit të të dyshuarve.
Në këtë raport theksohen kushtet e papranueshme humane në dhomat e paraburgimit, ndërkohë që rekomandohet marrja e masave efektive për të kapërcyer këtë problem.
Hammarbarg nënvizoi se megjithëse Shqipëria ka bërë disa përpjeke impresionuese për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve, “disa probleme të rëndësishme vazhdojnë të ekzistojnë dhe minoriteti rom meriton më shumë vëmendje”. Së fundi, komisionari për të Drejtat e Njeriut rekomandoi marrjen e masave më serioze për mbrojtjen e homoseksualëve nga episodet rutinë të intolerancës, dhe dhunës fizike dhe psikologjike.
Sh. Sulçe

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›