Grupi i PS mblidhetsot për emrat ekryesisë së deputetëve
TIRANE- PS mbledh sot grupin parlamentar, i cili do të vendosë për emrat e kryesisë së grupit parlamentar dhe krerëve të komisioneve parlamentare. Burimet- të cilat i referohen sot GSH- bëjnë të ditur se deri dje bëhej fjalë për dy nënkryetarë të grupit parlamentar dhe këto pozicione u janë lënë deputetëve, Erion Braçe dhe Taulant Balla. Në postin e sekretarit të grupit është menduar deputeti tjetër, Damian Gjiknuri. Ndërkaq, opozitës i takon edhe posti i njërit prej nënkryetarëve të Kuvendit dhe për këtë është menduar Namik Dokle, megjithatë një emër po kaq i përfolur në këtë pozicion është edhe Arta Dade. Pritet që deputetët socialistë të bëjnë një lloj përzgjedhjeje sot në mbledhjen e mëngjesit të grupit mes këtyre dy emrave, pasi për Daden është menduar që të marrë edhe postin e nënkryetares së komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme. Opozita do të ketë të drejtën e drejtimit të 3 komisioneve parlamentare. Kryetare e komisionit të Integrimit mendohet të jetë ish-ministrja Ermelinda Meksi; kryetar i komisionit të Shëndetësisë, bëhet e ditur se mund të jetë Et’hem Ruka dhe tek komisioni i Medias, Valentina Leskaj. Ndërkohë mbeten edhe 5 poste nënkryetarësh nëpër komisionet e tjera. Sipas burimeve nga grupi i PS-së, nënkryetar i komisionit të Ligjeve mendohet të jetë Fatmir Xhafaj; nënkryetar i komisionit të Sigurisë, Piro Lutaj; i komisionit të Ekonomisë, Arben Malaj dhe tek Veprimtaria prodhuese, në rast se Dokle do të jetë nënkryetar i Kuvendit, këtë pozicion do ta marrë Blendi Klosi. Gjithsesi, emrat ende nuk janë zyrtarë, pasi pritet që ata të marrin edhe pëlqimin e kolegëve sot në mbledhjen e grupit parlamentar.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)