Grupi i Topit: Të votohen dekretet dhe jo procedurat
Mustafaj: Logjika juridike kërkon shqyrtim të emrave
Shehu: Kuvendi të respektojë dekretet e Topit
Grupi që mbështet Presidentin Bamir Topi, ndryshe nga qëndrimi i PD-së, kërkon votim në Kuvend të dekreteve për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Këtë qëndrim kanë mbajtur publikisht Besnik Mustafaj dhe Sali Shehu. Sipas tyre, votimi i procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e emrave është antikushtetuese. Njëri nga mbështetësit e z. Topi, ish-ministri Besnik Mustafaj i referohet mendimit të juristëve që nuk merren me politikë, për të përforcuar idenë se Kuvendi duhet të votojë domosdoshmërish emrat dhe jo procedurat. Ai pohoi se për disa ditë me radhë ka zhvilluar konsultime me njerëzit e ligjit, juristë që nuk i përkasin asnjë force politike dhe ata kundërshtojnë votimin e procedurave siç insiston PD-ja. Pak çaste pas vendimit të Parlamentit për shtyrje të votimit të procedurave, Besnik Mustafaj u shpreh se “do të kërkoj që sa më shpejt të futen në Parlament dekretet e Presidentit, të votohen ashtu siç është e parashikuar në rregulloren e Parlamentit dhe në ligjet e tjera emër për emër, duke shqyrtuar në mënyrë serioze meritat e të gjithë kandidatëve, apo tjetrit”. Ish-ministri demokrat evidentoi se aktualisht Parlamenti është në një kolaps, i cili sipas tij, është shumë i dëmshëm edhe për imazhin e Parlamentit, por edhe për fatin e ligjeve, dekreteve që duhet të votohen. Mustafaj shprehu mendimin se tashmë është vonë të merremi me faktin nëse janë bërë gabime apo jo gjatë rrugës për të ardhur deri këtu. “Tani ne duhet të shohim në mënyrë shumë serioze dhe të kërkojmë daljen nga ky kolaps nga ky ngërç. Pasi jam konsultuar edhe me shumë juristë që nuk merren me politikë, do të thosha se edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që citohet kaq shumë në këtë periudhë, i jepet mundësi votimit të dekreteve”, - tha z. Mustafaj. Ai bëri të ditur faktin se nuk është në dijeni se çfarë shkruhet në raportin e Komisionit të Ligjeve, por ai këmbëngul se pavarësisht hartimit të tij, një votim i tillë është non sens juridik. Pra, shtoi Mustafaj, ne duhet të shohim daljen nga kolapsi dhe jo të mbetemi në emocionet negative të njërit, kur thuhet se Parlamenti shqyrton jo vetëm vlefshmërinë e procedurave, një vlefshmëri ligjore, por edhe meritat e kandidatëve. Të njëjtin qëndrim shpreh dhe deputeti tjetër, Sali Shehu, i cili mbron idenë e votimit të dekreteve të Presidentit dhe jo votimin e raportit të Komisionit të Ligjeve. “Kuvendi duhet të respektojë Presidentin dhe duhet të votohen dekretet dhe jo procedurat e sjelljes së këtyre dekreteve”, - u shpreh deputeti i PD-së.
Kuvendi debaton për dekretet e Presidentit, votimi pas një jave
Kuvendi është përfshirë ditën e djeshme nga një debat i ashpër në lidhje me dekretet e Presidentit Topi. Kryetarja e Grupit Kuvendor Socialist, Valentina Leskaj, kërkoi një datë konkrete nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, për votimin në seancë të dekreteve. “Edhe javën e kaluar ne kemi kërkuar një përgjigje për futjen në votim të dekreteve. Sot Grupi Kuvendor i PS-së kërkon një kohë, kërkon një datë, një përgjigje për sa u përket dekreteve të Presidentit. Kur do të vijnë në seancë dekretet?”, - tha Leskaj. “Sapo të vijnë materialet, do t’u shpërndahen juve. Unë mbas seancës do të mbledh Këshillin e Rregullores për të shpërndarë projekt-raportin e fundit. Mbas miratimit të raportit, ditën e hënë do të vijë në Kuvend raporti për heqjen e imunitetit të Mediut. Dekretet, të enjten ose të hënën tjetër, ne do t’i votojmë”, - iu përgjigj Topalli. Opozita nuk e ka mirëpritur këtë përgjigje dhe ka deklaruar se procedura që po ndiqet nuk është ligjore. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, ka reaguar duke thënë se faktikisht po ndiqet procedura parlamentare. Kjo ka mjaftuar që opozita të braktisë seancën parlamentare. Kryetari i Grupit Parlament të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se opozita po luan në formë të shëmtuar. “Ne e kemi kuptuar që ju e keni me pasion çështjen e dekreteve të Presidentit, për të cilën keni deklaruar paraprakisht votën pro. Kjo është vetëm një shprehje e qartë e thelbit të interesit tuaj politik për këtë çështje. Por, ju si opozitë duhet të keni pak durim, se nuk e detyroni dot shumicën t'iu përgjigjet ultimatumeve tuaja. Nuk po ndodh asgjë anormale në këtë sallë, pasi ne jemi korrektë me të gjitha procedurat, Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi”, - tha Patozi.
Topi në Athinë me krerët e Evropës Juglindore
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u nis dje drejt Athinës në krye të delegacionit zyrtar shqiptar për të marrë pjesë në samitin e shtatë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, që do të zhvillohet më 13-14 qershor. Kreu i xdshtetit shqiptar do t’i adresohet me një fjalim seancës plenare të samitit, temë kryesore e të cilit është diskutimi dhe shkëmbimi i mendimeve rreth “Pikëtakimeve ndërkulturore të rrugëlundrimeve në det, lumë dhe liqen të Evropës Juglindore”. Presidenti Topi pritet të takohet dhe të zhvillojë bisedime me drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura, me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, si dhe me homologë nga rajoni. Samiti organizohet nën kujdestarinë e Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias dhe drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura.
Shqipëria, për herë të parë në NATO
Për herë të parë Shqipëria ftohet të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe kontribuuese në KFOR që mbahet në Bruksel. Shqipëria përfaqësohet në këtë takim me ministrin e Mbrojtjes shqiptare, Gazmend Oketa. Në këtë vizitë njëditore në Bruksel, shefi i Mbrojtjes shqiptare do të takohet me drejtues të Organizatës për Furnizim dhe Mbështetje të NATO-s (NAMSA). Vendi ynë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Organizatën për Furnizim dhe Mbështetje të NATO-s (NAMSA), mbi bashkëpunimin për mbështetje logjistike si dhe ka firmosur dy marrëveshje te suksesshme implementuese. Në këtë vizitë ministri shqiptar i Mbrojtjes, do të takohet edhe me homologët e tij të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike.