Senati francez do të ratifikojë në qershor MSA-në
Senati francez do të ratifikojë brenda muajit qershor Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kjo u konfirmua gjatë vizitës në Francë të delegacionit shqiptar të grupit të miqësisë Shqipëri-Francë, të kryesuar nga z. Fatos Beja. Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri të ditur se premtimi është marrë gjatë kësaj vizite që u zhvillua nga datat 1 deri më 8 qershor. Duke përshëndetur praninë e delegacionit parlamentar shqiptar në seancë publike, kryetari i Senatit, Christian Poncelet theksoi se "kjo vizitë do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tashmë të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe dy parlamenteve tona". "Ajo inkuadrohet gjithashtu në një kuadër më të gjerë të integrimit euroatlantik të Shqipërisë, që pas arritjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian në 2006, kohët e fundit u ftua të bëhet edhe anëtare e NATO-s", - vlerësoi kryetari i senatit francez. Deputetët shqiptarë zhvilluan gjithashtu takime me z. Jacques Faure, drejtor i Evropës Kontinentale, në Ministrisë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, z. Manuel Rubio-Guillon, drejtor i zyrës së Bashkëpunimit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Drejtësisë etj. Në të gjitha takimet e zhvilluara, ku u diskutua rreth zhvillimeve të brendshme pozitive në Shqipëri, situatës në rajon dhe mundësive për një bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve, pala franceze vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit, veçanërisht në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe kontributit të saj për stabilizimin e Ballkanit.