Imuniteti i Mediut, PD: Prokuroria nuk na ka bindur
Opozita dhe mazhoranca, të hënën raport të përbashkët në Kuvend
Arsyet ndryshojnë, Mediu, precedent i ngjashëm me Lulzim Bashën
Fatmir Mediu ditën e hënë do të humbasë imunitetin. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur ditën e djeshme, me dyer të mbyllura, Këshillin e Rregullores dhe Imuniteteve, nga ku është vendosur se ditën e hënë do të votohet me votim të fshehtë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mazhoranca dhe opozita do të vendosin për një raport të përbashkët, i cili do të votohet në seancën e pasdites në Kuvend. Ditën e djeshme, relatorët Arian Madhi dhe Besnik Dervishi kanë lexuar qëndrimet e palëve që përfaqësojnë. Mazhoranca ka shprehur se do të votojnë për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu, pavarësisht se provat nga Prokuroria nuk kanë qenë bindëse për deputetët e shumicës. Mazhoranca ka arritur në këtë konkluzion, për shkak të qëndrimit të saj politik dhe publik, për të rrëzuar çdo imunitet zyrtari. Qëllimi i opozitës është i njëjtë me atë të mazhorancës, të paktën për sa i përket pjesës se duhet të votohet pro heqjes së imunitetit të Mediut. Opozita ka sjellë në argumentet e saj qëndrime të kundërta me mazhorancën. Sipas relacionit të opozitës, materialet e prokurorisë tregojnë se në Gërdec ka pasur një krim shtetëror.
Raporti
Brenda raportit do të ketë dy qëndrime të kundërta. Konkluzioni i opozitës do të jetë i shprehur në atë që ka përfaqësuar Gërdeci. Opozita në relacionin e saj kërkon “moskrijimin e asnjë vonese që krijon pengesa për kryerjen e veprimeve hetimore të organit të Prokurorisë; ngjarja e ndodhur në Gërdec, konsiderohet mjaft e rëndë për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit nga struktura të shtetit; gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar për të zbardhur sa më parë të vërtetën mbi tragjedinë e Gërdecit”. Nga ana e mazhorancës theksohet qartë vullneti që çdo imunitetet do të hiqet, pa marrë parasysh faktet që sjell prokuroria. Arsyeja, sipas mazhorancës, për një veprim të tillë politik, është besimi te drejtësia, si dhe zbardhja e të gjitha rasteve që pretendon organi i Akuzës.
Precedenti
Rasti i deputetit Mediu ka një ngjashmëri me rastin e procedimit të deputetit dhe ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për të cilin vetëm tri muaj më parë, Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tij me votat e mazhorancës. Lideri i shumicës, Berisha, është shprehur se mazhoranca do të votojë pro çdo kërkese që vjen nga Akuza për heqje imunitetesh. Berisha ka bërë të ditur edhe qëndrimin politik të mazhorancës, i cili është krijimi i një mundësie ligjore për të kufizuar imunitetin e deputetëve. Ditën e hënë do të votohet me kuti të mbyllura nga të gjithë deputetët për raportin e Këshillit të Rregullores. Shumica e deputetëve do të vendosë nëse Mediu do të ruajë imunitetin ose do të jetë një njeri i thjeshtë.
Komiteti i Helsinkit: Duhet transparencë për sistemin zgjedhor
Zyra e Komitetit të Helsinkit në Shqipëri ka reaguar ditën e djeshme, duke apeluar që partitë duhet të jenë më transparente me publikun për sa u përket ndryshimeve në sistemin zgjedhor. Komiteti ka vlerësuar konsensusin që kanë pasur partitë për ndryshimin e sistemit, por ka kërkuar që për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, të jenë më të hapura për votuesit shqiptarë. “Që të respektohet interesi i publikut, do të donim që të kishte një transparencë. Në këtë proces kishte një konsensus dhe gjërat ishin të sakta”, - tha Vasilika Hysi, kryetare e Zyrës së Komitetit të Helsinkit në Shqipëri. Sipas saj, transparenca me publikun për çështjen e mënyrës së votimit, është një e drejtë e votuesve shqiptarë që duhet të dinë me saktësi se në çfarë forme do t’u duhet të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.