E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i hetimit: Pistoletat e bllokuara në Fushë – Krujë erdhën nga Kosova



Luan Kondi

TIRANË – Menjëherë pas arrestimit të dy personave të dyshuar si trafikantë të armëve luftarake, grupi i hetimit ka mundur të zbulojë origjinën e pistoletave si dhe mënyrë me të cilën ato janë sjellë në Shqipëri. Burime të sigurta nga grupi i hetimit thanë për gazetën se është zbardhur origjina e 6 pistoletave që u bllokuan një ditë më parë në Fushë- Krujë, gjatë operacionit policor të koduar “Stazhieri”, i organizuar nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Hetimi
Grupi hetimor i kësaj çështjeje, qe ishte nën hetim që një muaj më parë, beson se pistoletat e sekuestruara kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova. Të kontaktuar nga gazeta “Albania” hetues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pohuan dje se hetimet tashmë janë shtrirë në drejtim të zbulimit të bashkëpunëtorëve në këtë linjë të trafikut të armëve. Nga të njëjtat burime mësohet se hetuesit kanë realizuar sot në mjediset e izolimit edhe një seancë me pyetje me dy të arrestuarit e këtij operacioni, Kujtim Laçi dhe Afrim Stafukën, të cilët akuzohen për “trafik të armëve dhe municioneve luftarake”. Sipas këtyre burimeve, njëri nga të ndaluarit e ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria.
Arrestimi
Operacioni “Stazhieri” përfundoi dy ditë më parë në Fushë-Krujë me arrestimin në kushtet e flagrancës te shtetasve Kujtim Laçi, 44 vjeç dhe Afrim Stafuka, 39 vjeç, duke transportuar me dy makina 6 pistoleta te tipit Mini-Zastava të destinuara për t’u tregtuar për qëllime përfitimi. Forcat e policisë i sekuestruan atyre edhe një sasi prej 200 gram lëndë narkotike e dyshuar si kokainë si dhe makinat me të cilat udhëtonin. Ndaj shtetasve Kujtim Laçi dhe Afrim Stafuka u kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda nën akuzën e kryerjes së veprave penale “trafik armësh e municionesh luftarake e kryer në bashkëpunim”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Gjatë këtij viti, nga organet e rendit janë bllokuar mbi 100 armë zjarri, kryesisht të llojit pistoletë, nga Bereta dhe TT-ja deri tek Miniblow, të destinuara për trafik ndërkohë që në pranga kanë përfunduar dhjetëra persona me akuzën e trafikut të armëve.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›