E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion policor Shqipëri-Greqi, ndalohen 210 vete për kalim të paligjshëm të kufirit



TIRANË - 210 vetë janë ndaluar gjatë tre ditëve të fundit në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror gjatë një operacioni të përbashkët policor Shqipëri-Greqi për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe trafiqeve të paligjshme. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit bëri të ditur për gazetën se shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat Policore Greke, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar, organizuan gjatë tre ditëve të fundit një operacion të përbashkët për goditjen e çdo lloj trafiku në kufi, si dhe parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit shtetëror. Në këtë operacion të përbashkët u përfshinë strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë, në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Policisë së Epirit, me qendër në Janinë dhe të Kozanit. Gjatë këtij operacioni janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me palën greke, si nga ana e shefave të stacioneve me homologët e tyre, ashtu dhe nga ana e drejtuesve Rajonalë të Policisë Kufitare e Migracionit me drejtuesit e Policisë së Epirit dhe Kozanit. Para fillimit të këtij operacioni, më 19 gusht, në Stacionet e Policisë Kufitare të Kakavijës, Qafë Botës dhe Kapshticës u zhvilluan takime me përfaqësuesit e Shërbimeve policore Greke, gjatë të cilave u përcaktuan mënyra e bashkëpunimit, forcat dhe mjetet të cilat do të angazhoheshin në këtë operacion, si dhe u bë organizimi i shërbimeve duke patur parasysh mbulimin e të gjithë vijës së kufirit. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit u përforcuan dhe nga shërbimet e Repartit Delta Forcë Vlorë. Ndërkohë që u bashkëpunua ngushtë dhe me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë. Gjatë tre ditëve të zhvillimit të këtij operacioni u bë e mundur kapja e 210 shtetasve në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit, nga të cilët 53 në Gjirokastër, 116 në Sarandë dhe 91 në Korçë, të cilët janë intervistuar dhe verifikuar rast pas rasti, procedimi për veprën penale “falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” i 1 shtetasi, evidentimi i 2 femrave si viktima të mundshme të trafikut, të cilat janë kapur në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit. Të dyja këto shtetase janë strehuar në një qendër për femrat e trafikuara. Në përfundim të këtij operacioni, me datën 22 gusht 2008, në Igumenicë (Greqi) u zhvillua dhe një takim i përbashkët ndërkufitar me përfaqësues të shërbimeve policore shqiptare dhe greke, gjatë të cilit nga të dy palët janë vlerësuar rezultatet e arritura gjatë këtij operacioni të përbashkët, i cili është i treti i zhvilluar për këtë vit.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›