E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i hetimit rikthehet në Gërdec

 Fatos MahmutajGrupi i hetimit rikthehet në Gërdec. Katër hetuesit të kësaj dosjeje, tre avokatë dhe një ekspert i caktuar nga gjykata, kanë mbërritur paraditen e djeshme në vendin e shpërthimit për të ekzaminuar dhe administruar në cilësinë e provës materiale pjesë të një saldatriçeje e cila besohet se ka pasur rol në shpërthim. Pikërisht kjo pajisje, mendohet të jetë shkaktarja e zjarrit që solli tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008. Pak ditë më parë forcat xheniere të ushtrisë, të cilat vazhdojnë prej dy vitesh gërmimet në zonë, për të pastruar vendin kryesisht nga materialet shpërthyese, kanë hasur pjesët e makinerisë së saldimit, diku në oborrin para gërmadhave të mbetur nga ish-vila e Qemal Deliut. Menjëherë për këtë është informuar organi i akuzës së kryeqytetit, institucion i cili ka vënë në dijeni gjykatën, për vetë faktin se dosja e tragjedisë tashmë ndodhet në gjykim. Sipas procedurave të aplikuara deri tani momenti i marrjes së provave nga organi i akuzës përfundon në momentin që çështja mbërrin në gjyq. Në seancën e fundit të zhvilluar për këtë proces, u vendos që grupi i hetimit, së bashku me ekspertin e caktuar nga gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve të shkonin në vendngjarje për të marrë këtë provë, e cila pritet t'i bashkëngjitet provave të tjera të këtij gjykimi. Mësohet se grupi që e këqyri këtë provë, i ka bërë mjaft foto mjetit saldues, si dhe ka përpiluar procesverbal këqyrjeje të vendit të ngjarjes dhe provës, të cilat pritet që me vendim të ndërmjetëm të trupit gjykues, t'i bashkëngjiten materialeve të dosjes "Gërdeci". Burime nga grupi i hetimit, që ekzaminoi dje vendin e tragjedisë së Gërdecit pohuan se sendi i cili u këqyr ishte një saldatriçe e dëmtuar nga shpërthimi, por që ruhej saktë pjesa qendrore e saj, që ka të bëjë me bërthamën metalike dhe spirat mbështjellëse të transformatorit. Po kështu gjatë gërmimeve ishin gjetur edhe mjaft detale të tjera që i kishin përkitur kësaj pajisjeje. Ndërkohë dje u bë e ditur se pajisja është gjetur në vendin ku dy vite më parë ishte oborri i vilës, në të cilën banonte familja Deliu. Pjesët e saldatriçes ishin zbuluar nga ushtarakët që po punojnë për pastrimin e zonës në anën e vilës, në pikën më të afërt midis saj dhe fabrikës së demontimit. Dëshmi të shumta, të ish-punëtorëve të fabrikës së demontimit të materialeve ushtarake kanë pohuar se shkak i shpërthimit ishte ndezja e një thesi barut ngaqë u vendos për tu transportuar me një karrocë, doreza e së cilës sapo ishte salduar nga i ndjeri Qemal Deliu. Ndryshe nga kjo, të burgosurit kryesorë për tragjedinë Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli pretendojnë se shpërthimi është shkaktuar qëllimisht nga ndonjë person i jashtëm ose punëtor i fabrikës. Ndërkohë Prokuroria ka hedhur dyshime edhe për një variant tjetër, të shkaktimit të shpërthimit. Sipas hetimit ndoshta shpërthimi ka ndodhur pikërisht nga shkëndijat e saldatriçes së të ndjerit Qemal Deliu. Për shkak se banesa e tij ndodhej vetëm 4 metër nga fabrika e demontimit, pas shpërthimit familja Deliu humbi 5 anëtarë të saj, mes të cilëve dhe një foshnjë 3 vjeçare."S'dihet nëse pajisja funksionoi në mars 2008"TIRANE - Grupi që këqyri dje vendin e tragjedisë së Gërdecit pohoi se do të jenë ekspertët që do të përcaktojë fillimisht nëse detalet e gjetura gjatë pastrimit të zonës së shpërthimit në Gërdec, i përkasin një saldatriçeje dhe më pas do të shihet nëse ky është apo jo, mjeti me të cilin punonte i ndjeri Qemal Deliu. Veç fotove të shumta të marra në vendin e ngjarjes, grupi i hetimit kreu edhe disa matje, për të parë nëse këto përputhen apo jo me provat dhe deklarimet që kanë dhënë dëshmitarët ish-punëtorë të fabrikës. Avokati Vladimir Meçi, mbrojtës i disa prej të pandehurve, i cili së bashku me avokatët Andi Meçi dhe Bashkim Asllani, iu bashkëngjitën grupit hetimor, pohoi dje se konkluzioni i ekspertit pritet të sqarojë gjithçka mbi saldatriçen dhe për pasojë pritet të sqarohet edhe fakti i rënies së zjarrit. Veç tjerash ekspertit do t'i duhet të përcaktojë nëse pjesët e saldatriçes së gjetur, i përkasin asaj që ka përdorur Qemal Deliu, ndërkohë që duhet të sqarohet edhe fakti tjetër nëse saldatriçja e zbuluar ka qenë apo jo në gjendje pune më 15 mars të vitit 2008.                                                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›