E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet për pronën 33-vjeçari

 KUKES/ BURRELSherri për pronën i merr jetën një 33-vjeçari në një fshat të Kukësit. Viktima, Dëfrim Keci, u ekzekutua në oborrin e shtëpisë nga bashkëfshatari i tij 65-vjeçar, Sali Leka. Vrasja ndodhi rreth mesditës, ndërsa disa orë më vonë, në qytetin e Burrelit u shënua ngjarja e dytë e rëndë. Një 56-vjeçar u qëllua me grusht nga shoku i tij, por goditja me asfaltin pas rrëzimit i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Policia ka mundur të arrestojë pas kërkimesh intensive të dy autorët. Sipas burimeve zyrtare në policinë e Kukësit mësohet se krimi ndodhi në fshatin Cinamakë të komunës Surroj. Keci ishte qëlluar disa herë nga Leka me pistoletë, pas një grindjeje që kishin pasur të dy për pronësinë e një rruge në fshat. Vëllai i viktimës lajmëroi menjëherë policinë, së cilës iu deshën tri orë që të arrestonte 12 km larg, të fshehur në pyll, autorin 65-vjeçar. Operacioni u drejtua nga kryepolici Ali Elezi, në një terren të vështirë. Kjo ngjarje shënonte krimin e parë kundër personit pas dy vitesh në Kukës. Ndërsa në rrethin verilindor krimi ndodhi për motive pronësie, policia e Burrelit dyshon se një grindje banale në lokal solli vdekjen e Aqif Lleshit. Dëshmitarë okularë thanë dje se rreth orës 15.00, në një lokal pranë komisariatit të policisë Mat, viktima ka qëndruar bashkë me Ramazan Kokën, duke pirë. Krejt papritur ata janë përfshirë në debat mes njëri-tjetrit, i cili ka vazhduar dhe jashtë lokalit. Pas zënkave me fjalë, madje me zë të lartë, thuhet se Koka ka goditur me grusht në nofull Lleshin. Gjatë rënies, 56-vjeçari është përplasur me asfaltin, duke përfunduar pa ndjenja. Ai u dërgua me shpejtësi në spitalin e qytetit nga persona të ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes, por gjatë transportimit ka ndërruar jetë. Efektivë të policisë u vunë shpejt në ndjekje të autorit të ngjarjes, mirëpo ai ka arritur të përfitojë nga amullia e krijuar për të ikur në drejtim të Qafë Shtamës. Viktima dhe autori mësohet të kenë qenë shokë të ngushtë, madje njiheshin në zonën e Komsisë si gjahtarë që dilnin malit bashkë. Rreth mbrëmjes policia ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e Kokës, i fshehur mbi fshatin e tij të lindjes, Frankth, ku dhe është prangosur. Mendohet që dy gjahtarët janë zënë me njëri-tjetrin në pije e sipër, por nuk thuhet se cilat ishin motivet që çuan në goditjen fatale të Lleshit, derisa ai humbi jetën. “Vetëm një plagë pas koke ka patur viktima”, thanë burime të besueshme spitalore. Pritet që pas dëshmisë së autorit të hidhet dritë mbi motivet e kësaj ngjarjeje.                     h.pPlagosja në plazh, identifikohen dy autorëtNjë konflikt i momentit, i nisur në një bar të plazhit ka degraduar në të shtëna me armë. Sipas policisë së Durrësit hetimet e deritanishme saktësojnë se nuk ekziston asnjë pistë atentati, por ka qenë një sherr i momentit për motive banale i zhvilluar brenda në bar, ai që solli plagosjen e tre shtetasve, njëri prej të cilëve azerbaxhian. Policia e Durrësit identifikoi në një kohë rekord autorët e dyshuar të ngjarjes, Gjovalin Paluca 33 vjeç nga Lezha dhe Gjergji Tushaj, 45 vjeç nga Korça. Ata janë shpallur në kërkim, teksa policia i ka përcjellë prokurorisë dosjen për “tentativë vrasje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›