E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezik nga rruga, 300 nxënës në protestë

 FIER - Rreth 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare të fshatit Vajkan bojkotuan dje mësimin. Rreth orës 10:00 ata bllokuan autostradën Fier–Lushnjë, të cilën janë të detyruar ta kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë. Mungesa e nënkalimeve dhe mbikalimeve në këtë autostradë u rrezikon atyre jetën, ndaj vendosën të protestojnë deri në zgjidhjen e këtij shqetësimi. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit kanë kërkuar disa herë që të vendosen mbikalime, por deri më tani situata është e njëjtë. “Këtu nuk kalon dot. Sa herë kemi rrezikuar jetën në këtë rrugë. Makina pak kohë më parë përplasi nënën e pesë fëmijëve, e cila mbeti e vdekur në vend. Ne nuk mund t’i shoqërojmë dot çdo ditë fëmijët për në shkollë. Por ata rrezikohen sa herë që e kalojnë autostradën”, u shpreh një prind. Ndërsa fëmijët thanë se ata e kalojnë me vrap çdo ditë rrugën, pasi mjetet ecin me shumë shpejtësi. Kjo situatë mban në tension të vazhdueshëm prindërit dhe mësuesit e tyre. Vait Bacja, kreu i komunës së Mbrostarit, pohoi se do të interesohen tek firma e rrugës për shqetësimin e nxënësve.                                                                      m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›