Kuvendi i ri hap dyert, çel sot legjislaturën e XVIII-të - 74 deputetët e mazhorancës bëjnë betimin në kuvend, mungon opozita e bojkoteve
Deputetët e mazhorancës dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, bëjnë sot betimin parlamentarë, ndërsa pala e opozitës bojkoton pjesëmarrjen gjatë konstituimit të parlamentit të ri. Fundjava e kaluar ishte fundjava në cilën Edvini detyroi me dhunë kryesinë socialiste që të miratonte vendimin e tij fals, për mospjesëmarrje në kuvend dhe që u pasua nga një mbledhje e degjeneruar e grupit parlamentarë socialist, që u kthye në arenë sharjesh dhe fyerjesh.
Kuvendi i ri i Shqipërisë hap dyert sot, për të pritur deputetë të vjetër dhe të rinj, me rastin e çeljes së legjislaturës së XVIII-të parlamentare. Që pas shpërbërjes së tij, pak para zgjedhjeve të 28 Qershorit, sot pasdite Kuvendi hap seancën e parë.
Për herë të parë në karriget e kuvendit, ulen afro 84 deputetë, krahas atyre të rimandatuar. Hapjen e seancës së parë të kuvendit do ta kryeja një nga deputetët më të vjetër, i cili do të bëjë përshëndetjen e radhës. Më pas, fjalën do ta marrë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila do të përshëndesë çeljen e legjislaturës së XVIII-të. Më pas, të gjithë deputetët e pranishëm do të bëjnë betimin parlamentarë, për përmbushjen e detyrimeve ndaj kuvendit dhe elektoratit që i ka zgjedhur. Në këtë seancë pritet të ngrihet Sekretariati i ndihmës që do të përfaqësohet nga 3 deputetët më të rinj. Gjithashtu do të ngrihet edhe komisioni i verifikimit të Mandateve i përbërë nga 9 deputetë të mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa seancën e ditës së enjte, do të hidhen propozimet për kryetarin dhe dy nënkryetarët e kuvendit.
Në këtë kuvend Partia Demokratike bashkë me aleatët e djathë të saj ka 70 deputetë, Partia Socialiste me aleaten e vetme PBDNJ, kanë 66 deputetë ndërsa 4 mandatet e tjera i takojnë LSI-së. Partia Demokratike, në sajë të aleancës pas zgjedhore, për bashkë qeverisje që ka lidhur me Lëvizjen Socialiste për Integrim konfirmon mazhorancën me 74 mandate, të domosdoshme për betejën politike në kuvend dhe ndërmarrjen e ligjeve të rëndësishme në kuadër të realizimit të reformave.
Mandatet në Kuvendin e Shqipërisë
PD- 68 Deputetë
LSI- 4 Deputetë
PDI- Deputet
PR- 1 Deputet
PBDNJ- 1 Deputet
PS- 65 Deputetë
Konstituohet Kuvendi, mungon opozita/Edvini nis luftën për shpërbërjen e PS-së
Ajo që duhet evidentuar, në çeljen e sotme të kuvendit të konstituuar është fakti se opozita ka zgjedhur ta bojkotojë atë. Pra 65 deputetët e saj, pas vendimit të Edi Ramës, bojkotojnë sot punimet e kuvendit dhe njëherazi nuk shlyejnë as detyrimin moral, betimin parlamentarë. Ndaj dhe, punimet hapëse të legjislaturës së XVIII-të të kuvendit, nisin në një mënyrë të pazakontë, por që nuk e zbeh frymën optimiste dhe vullnetin e mazhorancës së formuar tashmë, për realizimin e reformave dhe afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Edi Rama zgjodhi të udhëheqë farsën e radhës, atë të bojkotit, për të deformuar vullnetin politik në vend dhe vënë në rrezik objektivat madhore të qeverisë “Berisha 2”, siç është më kryesorja, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë, në mbarë hapësirën evropiane. Filozofia dështake e Edvinit, e konvertuar tashmë sipas interesave të tij personale, do të ketë atë fund që edhe dihet tashmë. Ajo s’mund të dalë përtej interesave madhore të vendit. Interesat e Edvinit, do të mbyllen në kornizën e ngushtë të karakterit të tij të cunguar. Pavarësisht këtij vendimi që u mor vetëm e vetëm për hesape personale, pra sa të pastrojë partinë nga kriminelët, siç bëri Enveri që i postin e tij Mehmet Shehut sa të rregullonte ca punë të “vogla” në parti dhe që u kthye pastaj me duar të gjakosura me gjakun e kundërshtarëve brenda partisë, me përfaqësuesit e zërit ndryshe.
Mesa duket, të njëjtën taktikë po ndjek edhe pinjolli i tij, Edi Rama dhe kjo u vu re që nga kërcënimi që u bëri disa prej anëtarëve të kryesisë, kundërshtarë të tij, për likuidim, nëse nuk ndryshojnë kursin e qëndrimit politik brenda PS-së. Kësisoj, Edvini ka nisur luftën për shpërbërjen e PS-së dhe kundrimin e një linje tjetër politike, paralele me partinë ekzistuese, ku pritet të sundojnë të gjithë mbështetësit e klikës edviniste, pjesa dërrmuese e të cilëve janë deputetë të rinj, të cilët i bëri deputetë dhe këta të fundit do t’i rikthejnë reston.
Edhe njëherë faktohet se Edi Rama, përpos interesave të tij personale, nuk ka asnjë interes tjetër, pasi interesat e shqiptarëve i shkeli me këmbë, që nga momenti kur vendosi bojkotimin e parlamentit, në shenjë proteste për humbjen e zgjedhjeve.