Grupi i trafikut me skaf, Apeli shton 5 vjet burg
TIRANE - Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtoi dje pesë vjet dënim për grupin e trafikut të klandestinëve me skaf nga Laçi ndërsa liroi dy nga të akuzuarit e grupit. Shkalla e Dytë e Krimeve të Rënda i dha fund dje shqyrtimit të dosjes në ngarkim të 10 personave të akuzuar për trafik të klandestinëve me skaf nga Laçi. Vendimi i gjykatës dënoi me nga 9.8 vjet burg për Ardian Corrin dhe Gëzim Tafain për akuzat e "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim", dhe "grupit të strukturuar kriminal". Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për masën e dënimit kundër të pandehurve Aleksandër Malaj, Lek Frroku dhe Altin Gjeloshaj, duke i dënuar me nga 3.4 vjet. Dënimi nuk ndryshoi për të pandehurin Dilaver Hajdini, për të cilin u vendos dënimi me 4 vjet burg dhe për të pandehurin Ardian Gjeloshaj me 3.8 vjet burg. Gjithashtu nga gjykata u la në fuqi edhe gjoba me nga 4 milionë lekë për të sipërpërmendurit. Togat e zeza të Apelit vendosën dje dënimin vetëm me kohën e paraburgimit dhe lirimin nga qelia për të pandehurit Rexhep Cuku dhe Ndrekë Preçi, të akuzuar për "moskallëzim krimi". Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzoheshin nga prokuroria për trafik të klandestinëve drejt Italisë në rrugë tokësore dhe detare. Episodi më i rëndë i trafikut ishte ai i 10 janarit 2008, kur grupi i akuzuar tentoi të kalonte klandestinë drejt Italisë me anë të gomoneve. Gjatë tentativës së tyre për kalimin e paligjshëm të kufirit ujor, ata u diktuan nga policia. Në vijim ata hodhën në det në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat 44 klandestinë, të cilët u shpëtuan nga forcat e policisë. ar.ba