E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lufthansa” dyfishon fluturimet me Shqipërinë

 

Kompania e fluturimeve ajrore “Lufthansa” ka dyfishuar fluturimet e saj me Shqipërinë. Shërbimi i ri rrit ofertën e “Lufthansas” në 2,400 vende në javë midis Tiranës dhe Myhinut. “Lufthansa”, gjigandi gjerman i ajrit dhe një nga linjat ajrore më në zë në botë, dyfishon fluturimet e saj me Shqipërinë. Linja ajrore ndërkombëtare me qendër në Gjermani, që nga 1 prilli 2009 ka shtuar një fluturim ditor, krahas shërbimeve të saj ekzistuese ditore, nga Tirana në Mynih. Shërbimi që ofrohet dy herë në ditë operohet nga një avion me 86 vende në Klasin Biznes dhe Ekonomi, dhe do të rrisë dyfish numrin e pasagjerëve që do të fluturojnë midis Tiranës dhe Mynihut. Itinerari i ri i shtohet shërbimeve ekzistuese që ofrohen nga grupi Lufthansa dhe është përshtatur për të ofruar koordinimin optimal të kohës së udhëtimit, si për pasagjerët e biznesit dhe për pasagjerët për turizëm. Ky shërbim do t’i ofrohet shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, të cilët kthehen për pushime në vendin e tyre, komunitetit të biznesit në Shqipëri, Gjermani e më gjerë si dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Avioni i parë LH 3399 niset nga Tirana në orën 6:25 të mëngjesit, mbërrin në orën 8:15 në Mynih duke u lejuar të gjithë pasagjerëve të kenë në dispozicion gjithë ditën në Mynih. Ata do të mund të përdorin një nga mbi 2400 linja tranzit në javë dhe të fluturojnë në mbi 100 destinacione ofruar nga aeroporti i Mynihut.  LH 3398 do të niset nga Mynih në 21:30 dhe mbërrin në Tiranë në orën 23:10 të mbrëmjes. “Fluturimet Tiranë – Mynih janë pritur mirë nga pasagjerët tanë, sidomos nga komuniteti i biznesit gjithnjë në rritje”, pohon Gabor Horvarth, Menaxheri i Përgjithshëm i Shitjeve të Pasagjerëve të Lufthansës për Bullgarinë dhe Shqipërinë. “Ne jemi krenarë të shtojmë më tej prezencën tonë në Shqipëri dhe t’u ofrojmë klientëve tanë një orar sa më fleksibël dhe kapacitete shtesë, duke arritur në 2400 vende në javë bashkërenduar standardit tonë të lartë të shërbimeve dhe produkteve. Arsyeja se përse ne ndërmarrim një hap të tillë, pavarësisht mjedisit të vështirë ekonomik global, përforcon më tej angazhimet tona në Shqipëri” shton Hovarth. Nisur nga kërkesa e lartë, itinerari i ri u ofron pasagjerëve Shqiptarë mundësi shumë të përshtatshme dhe tranzit perfekt prej vetëm 30 minutash në aeroportin më të mirë të Evropës, në Mynih me 25 milionë pasagjerë në 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›