Vendimi, kufizohet deri në 10% rritja e taksave për biznesin
zirina llambro
Qeveria vendos kufizimin deri në 10% të taksës për biznesin e vogël. Ashtu siç kishte paralajmëruar Këshilli i Ministrave miratoi dje ndryshimin në ligjin për “Sistemin e taksave vendore”. Marzhi i cili më parë ishte deri në 30% është ngushtuar ndjeshëm. Përpos kësaj, organi tatimor qendror me një Task Force të veçantë, të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. “Qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të”, kështu u shpreh dje Kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo masë në sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë ku janë punësuar rreth 200 mijë vetë, synon shmangien e abuzimeve ndaj kësaj biznesi. Duke garantuar pushtetin vendor se qeveria është e gatshme t’i ndihmojë në përputhje me nevojat që kanë, Berisha theksoi se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit. “Atëherë, është e drejtë të pyesim se kur ka qenë normale dhe kur abuzive, cili nivel është normal dhe cili abuziv, apo në qoftë se pas tre viteve janë katërfishuar, lind pyetja çfarë ndodhi që ato të katërfishohen”, tha kryeministri në mbledhjen e djeshme.
Ndryshimet
“Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme vendos taksa me karakter të përkohshëm. Masa e taksave së bashku me tarifat e aplikueshme nuk duhet të kalojë kufirin plus 10% e nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël”, thuhet në nenin 33 të ligjit të ndryshuar. I njëjti ndryshim është bërë edhe për tarifat vendore që vendosen nga këshilli. “Në asnjë rast shuma e tarifave vendore të aplikueshme për tatim paguesit e biznesit të vogël nuk duhet të kalojë 10% të nivelit tregues të taksës”, thuhet në nenin 5 të ndryshuar. Sipas Ministrisë së Financave, që ka bërë edhe propozimet përkatëse, impakti nga ndryshimi i këtyre niveleve parashikohet të jetë i ndjeshëm kryesisht në ato bashki që kanë aplikuar një rritje deri në 30% të taksës bazë. ”Këto bashki apo komuna do të kenë nevojë të rishikojnë programet e tyre buxhetore, për të reflektuar këto ndryshime”, sqaron Ministria e Financave. Sipas këtij dikasteri, ndryshimi në fjalë nuk duhet kuptuar si një ndërhyrje e organeve qendrore në kompetencat e organeve vendore, por vetëm si një masë me karakter mbrojtës dhe parandalues në mbështetje të biznesit. Në ligjin e ri saktësohet gjithashtu se këshillat bashkiakë dhe komunalë vendosin vetë për llojet e tarifave dhe taksave, si dhe rregullat për administrimin dhe mbledhjen e tyre. ”Ato vendosin nëse tarifat do të mblidhen nga vetë strukturat e bashkisë apo komunës. Në rastin e agjentit, këshilli vendos rregullat bazë kufizuese në raport me agjentin, ndërsa Kryetari i Bashkisë e Komunës bën përzgjedhjen e agjentit si dhe lidh kontratë me të”, thuhet në ligj.
Shalsi: Berisha të heqë tatimin mbi fitimin
Pas vendimi të marrë dje ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. “Kryeministri të mos bëjë skeçe bajate me qytetarët por t’u heqë tatimin e ri mbi fitimin, pasi në qoftë se me kontributin për gjelbërimin, biznesmenët e kryeqytetit po blejnë pemët që mbillen përditë dhe që të gjithë qytetarët shohin dhe i prekin, me taksat që u rrit qeveria po bëhen spote gënjeshtrash dhe mitingje shpifjesh”, u shpreh në një deklaratë për mediat nënkryetari i bashkisë Eduard Shalsi. Sipas tij, Sali Berisha duhet të sillet si kryeministri i një vendi që ka hyrë në krizë ekonomike dhe jo si një aktor skeçesh pa asnjë lezet, në këtë kohë të vështirë kur shqiptarët kanë nevojë për shpresë dhe lidership të vërtetë.