Vrasja e emigrantit Tahiri, kapet "Xubi" i Yzberishtit
Etleva Delia
Arrestohet nga policia, pas ndjekjes 4-ditore, i dyshuari për vra-sjen e Ardian Tahirit, emigrantit nga Fieri që gjeti vdekjen katër ditë më parë në Tiranë. Policia e kryeqytetit deklaroi dje se gjatë aksionit të koduar "Zalta" ka arrestuar të dyshuarin Fatmir Avdillari, i cili besohet se është hakmarrë ndaj Ardian Tahirit, për vrasjen e vëllait të tij në Athinë. Arrestimi i të kërkuarit është bërë në orët e mesditës nga një ekip special i policisë së Tiranës, me oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Burimet zyrtare thanë se Avdillari, i njohur me pseudonimin "Xubi", ishte shpallur në kërkim për vrasjen e emigrantit Ardian Tahiri, nga Fieri i kthyer pak kohë më parë nga Greqia. Motivi i atentatit që ndodhi të shtunën e javës që shkoi, sipas policisë dyshohet të jetë hakmarrja. I arrestuari i djeshëm Fatmir Avdillari, ia kishte faturuar Ardian Tahirit vrasjen e vëllait Fiqiri Avdillari, ndodhur në Athinë më 12 janar 2008. Por sipas policisë, përplasjet mes palëve kanë qenë edhe më të hershme dhe për këtë shkak po hetohen edhe konflikte të tjera mes palëve.
VRASJA E EMIGRANTIT
Ardian Tahiri u vra nga një plumb i vetëm në kokë. Autori ka përdorur një pistoletë "TT", duke qëlluar viktimën në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të shtunën më 11 prill 2009, pranë një lokali në afërsi të "Pallatit me Shigjeta", tek Ura Teknologjike. Ardian Tahiri u qëllua për vdekje ndërsa autori iku menjëherë nga vendi i ngjarjes. Për katër ditë ai ishte në kërkim ndërsa dje policia realizoi arrestimin e tij. Hetimet iu referuan mundësisë se atentati i ndodhur në Tiranë mund të kishte lidhje me një vrasje të ndodhur në Greqi në janar 2008. Sipas policisë, Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se emigranti Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin i cili gjeti vdekjen në Athinë. Ai ishte ekzekutuar në janar të vitit 2008 në Greqi dhe më pas ishte djegur, në kohën kur vëllai i tij, Fatmir Avdillari ndodhej në burg. Sapo ka dalë nga burgu, Fatmir Avdillari, i njohur me preudonimin "Xubi" ka mbledhur të dhëna për vrasjen e vëllait dhe dyshimet e kanë çuar tek Ardian Tahiri, ndaj të cilit është hakmarrë, duke e vrarë mbrëmjen e të shtunës, sapo i dyshuari prej tij ishte kthyer nga Greqia. Fatmir Avdillari është personazh i njohur edhe më parë për policinë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në disa vepra penale të vrasjes ndërsa më parë është dënuar me 12 vjet burg derisa pak kohë më parë ka përfituar lirimin nga qelitë.