Pas zgjedhjeve, rritet çmimi i dritave
Çmimi i energjisë elektrike në 2010 do të rritet, por kjo rritje do të jetë e përballueshme për xhepat e qytetarëve. Kështu është shprehur dje kreu i entit rregullator të energjisë elektrike (ERE) Bujar Nepravishta. “Me të dhënat e deritanishme mendojmë se nuk do ketë një rritje impresionuese të çmimeve. Rritja, nëse do të ketë, do të jetë e tillë që do të jetë e përballueshme. Do të jenë çmime të arsyeshme, të ekuilibruara dhe mendoj se kjo duhet të bëjë që opinioni publik të mos impresionohet”, është shprehur Nepravishta. Sipas tij, situata e favorshme hidrologjike dhe rënia e çmimeve të importit kanë ulur koston e energjisë. “Padyshim që kjo është një tendencë e mirë. Nëse do jetë konsistence, do jetë e favorshme për të ndikuar te çmimi i energjisë. Po të mos paguajmë energjinë, ne bëhemi kontribues në rritjen e çmimit të saj”, ka thënë ai. Sipas tij, veprimi i parë i kompanisë çeke “Çez”, pas privatizimit të OSSH-së, do të jetë aplikimi për rritjen e çmimit. Kompania çeke pritet që të kërkojë rritjen e çmimit gjatë muajve qershor-gusht. Vetëm një ditë më parë, zyrtarët e Bankës Botërore deklaruan se çmimi i energjisë elektrike mund të rritet nga 8 deri në 15 për qind. Por sipas tyre, për të lehtësuar konsumatorët qeveria mund të ulë ose të heqë TVSH-në për dritat. Kjo pasi në pagesën e energjisë, një në 5 lekë i shkon shtetit dhe jo kompanisë, ndaj është në dorë të ekzekutivit për të vendosur ta heqë atë ose jo. Lidhur me këtë sugjerim të BB-së, Nepravishta deklaroi se heqja e TVSH-se për faturat e konsumatorëve është në dorë të qeverisë. Sipas të dhënave zyrtare, 32 % e energjisë elektrike vidhet, ndërsa vetëm 83 % paguhet nga qytetarët.