Kryeministri Berisha: Ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor, bazë për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Gjate mbledhjes se Komitetit Nderministror per Integrimin ne NATO, duke vënë theksin në reformën kushtetuese dhe në ndryshimet e domosdoshme të sistemit zgjedhor, Kryeministri vuri në dukje se tashmë ky proces është vendosur mbi një bazë të re ligjore, i cili garanton më së miri zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Reforma kushtetuese dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, çka vendosi procesin themelor të demokracisë që është procesi i zgjedhjeve të lira, në një bazë ligjore të re, me të cilën ne ndahemi nga Dushku, fenomen damkosës për procesin zgjedhor në Shqipëri.Krahas kësaj kushtetuta pësoi një seri ndryshimesh të tjera pozitive, të cilat shmangin krizat e panevojshme ne vend dhe thellojnë karakterin parlamentar të Republikës së Shqipërisë." tha kryeministri.
Kryeministri u shpreh se për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, krahas reformave themelore, po ecet paralelisht me nje grup tjetrë reformash teknike, sic është regjistri digjital i gjendjes civile. “Pritet që këto ditë të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese të pasaportave dhe ID. Është shpallur fituese nga autoritetet kontraktues kompania që ofroi plotësimin e kushteve, por dhe çmimin më të leverdishëm , prej 9, 5 eurosh, në një kohë kur e dyta që plotësonte kushtin kohor të prodhimit brenda një viti kishte një çmim prej 23 eurosh për letërnjoftim, i cili natyrisht përbënte një diferencë të ndjeshme.”
Duke vlerësuar bashkëpunimin e opozitës në këtë drejtim, kryeministri u shpreh se shumë shpejt do të nisë puna për kodin zgjedhor, për ti dhënë një përgjigje në kohën e duhur këtij problemi të rëndësishëm. “Po punohet për reformën e sistemit gjyqësor dhe një seri ligjesh janë gati. Opozita ka shprehur vullnetin për ti shqyrtuar ato. Shpresoj të nisë puna për kodin zgjedhor sa më shpejt, në mënyrë që edhe kodit zgjedhor ti japim përgjigjen më të shpejtë të duhur, por të mos e lënë për muaj e fundit çka do të ishte jo e favorshme.”