Kryeministri Berisha: Paketa e trajnimit ka rëndësi për përgatitjen në tërësi të Shqipërisë për fazën e kandidimit për në BE
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të paketës spanjolle të trajnimit të Administratës Publike për integrimin evropian, në ambientet e Ministrisë së Integrimit.
Paketa e trajnimit financohet nga qeveria spanjolle dhe realizohet nga Ambasada Spanjolle në Tiranë në bashkëpunim me ministrinë e Integrimit Evropian në Shqipëri, Departamentin e Administratës Publike, Drejtorinë e Shtetit për Bashkimin Evropian dhe Shkollën Diplomatike Spanjolle. I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri z.Manuel Montobio.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi ambasadorin e Spanjës z. Montobio për mbështetjen e gjithanshme që qeveria spanjolle ka dhënë për Shqipërinë në realizimin e projektit të saj madhor të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Spanja ka dëshmuar një interes të madh dhe një mbështetje të fuqishme ndaj Shqipërisë në të gjitha fushat, duke filluar nga zhvillimi i kapaciteteve njerëzore tek infrastruktura, në mënyrë që vendi të bëhet i përshtatshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri u shpreh se kualifikimi i punonjësve të administratës publike me anë të kësaj pakete trajnimi ka rëndësi të veçantë jo vetëm në zbatimin me sukses të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit por dhe në përgatitjen në tërësi të Shqipërisë për fazën e kandidimit.
“Në këto seminare dhe kurse punonjësit e administratës do të njihen me praktikat, orientimet, direktivat e fushave të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe politikat e BE-së. Të gjitha këto kanë një rëndësi shumë të madhe jo vetëm në zbatimin me sukses të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe realizimin sa më efiçent të marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian, por dhe në përgatitjen në tërësi të Shqipërisë për fazën e kandidimit, e cila do të jetë rezultat i një procesi negocimi me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se kjo shkollë ka një rol shumë të rëndësishëm dhe për faktin se përgatitja dhe zhvillimi i burimeve njerëzore po ecin me vështirësi me hapin e kohës.
“Duhet të pranojmë se përgatitja dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, vështirësisht ecën me hapin e kohës. Prandaj, kjo shkollë ka një rëndësi shumë të madhe sepse çdo lloj plogështie e administratës pasqyrohet direkt në këtë projekt të madh të shumëpritur nga shqiptarët, integrimi në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje ambasadës spanjolle në Tiranë dhe qeveris spanjolle dhe për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin e nismës “Një OKB”, ndihmën shumë të çmuar që qeveria spanjolle dhënë dhe po jep në reformën e sistemit të drejtësisë, etj..
“Ambasada spanjolle në Tiranë dhe administrata e qeverisë së Spanjës janë kontribuues kryesore në ndihmë të Shqipërisë, në kuadrin e nismës “Një OKB”. Përfitoj nga rast t’i shpreh mirënjohjen e thellë ambasadorit sepse dhe ky projekt është një mbështetje e rëndësishme e jona në procesin e integrimeve dhe integrimit. Dua të veçoj dhe ndihmën shumë të çmuar që qeveria e mbretërisë së Spanjës ka dhënë dhe po jep në reformën e sistemit të drejtësisë dhe jam i bindur se propozimi i sistemit elektoral spanjoll që përzgjodhëm do të jetë shumë i dobishëm”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë ceremoni përshëndetën dhe ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu dhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri z.Manuel Montobio. Ministrja Bregu duke folur për rëndësinë që ka fuqizimi i kapaciteteve të administratës publike, u shpreh se ky është një nga rekomandimet kryesore të partneritetit evropian.