“Në 2009, 48 largime nga puna,103 ankesa nga administrata”
Në vitin 2009, 48 punonjës të administratës janë larguar nga puna. Komisioni i Shërbimit Civil ka dorëzuar dje në Kuvend raportin për vitin e kaluar, ku ka evidentuar të gjitha shkeljet e statusit të nëpunësit civil në administratën qendrore dhe atë lokale. Në një material prej 51 faqesh, Komisioni vëren se "pranë KSHC-së gjatë vitit 2009 janë paraqitur për shqyrtim 77 ankesa me objekt shfuqizimin e masës disiplinore. Nga këto: 48 ankesa janë 'largim nga shërbimi civil', të cilat zënë 62.33% të masave disiplinore të trajtuara. Në total masat disiplinore më të lehta janë zbatuar në 29 raste, të cilat zënë 37.67% të masave disiplinore. Vërejmë se: në 11 ankesa është aplikuar masa disiplinore 'kalimi në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët', në 11 ankesa është përdorur masa disiplinore 'vërejtje me shkrim', në 7 ankesa masa disiplinore 'vërejtje me paralajmërim'". Një tjetër problem i ngritur në raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil është edhe zhvillimi i konkurseve në mënyrë fiktive. "Në momentin e shpalljes së konkurrimit, pozicionet e shpallura si të lira, efektivisht janë të zëna nga nëpunës të marrë në punë me kontratë. Ky fakt përbën një arsye që personat e interesuar ta konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë më parë me kontratë. Këtë përfundim mund ta ilustrojmë me rastin e Ministrisë së Brendshme, ku 111 konkurrime të kryera gjithsej, fituesit e këtyre konkurrimeve ndërkohë kanë qenë në marrëdhënie pune me këtë institucion, të emëruar më parë apo të marrë në punë me kontratë të përkohshme pune", thuhet më tej në raportin për vitin 2009. Komisioni vëren se në shumë institucione vazhdon të aplikohet rekrutimi dhe mbajtja në punë e nëpunësve me kontratë në pozicionet e punës që përfshihen në shërbimin civil. "Gjatë veprimtarisë të vitit 2009, KSHC ka vërejtur se nuk është praktikuar plotësimi i vendeve të lira të punës nëpërmjet lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë. Për këtë, të gjitha institucionet që përfshihen në shërbimin civil, përpara se të fillojnë procedurat e hapura të konkurrimit, të zbatojnë pikën 1 të nenit 15 të ligjit, duke përdorur institutet e lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë si i vetmi mjet për zhvillimin e karrierës së nëpunësve civilë", theksohet në konkluzionet e raportit të Komisionit të Shërbimit Civil. Ky institucion rekomandon ndryshimin e ligjit, me qëllim zgjerimin e sferës së shërbimit civil me institucione të tjera të administratës qendrore, si dhe ato në varësi të Këshillit të Ministrave, në varësi të ministrive dhe administratën e Prefektit, ndërsa në institucionet e administratës vendore të përfshihet edhe administrata e komunave. Anëtari i KSHC-së, Sajmir Mani ka shkruar në raport se në komision u arrit kompromisi që problemet mes anëtarëve dhe kryetares Mimoza Hysenaj të trajtohen me ballafaqim në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.