E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Mbështesim krijimin e dy shteteve në Lindjen e Mesme



Tirana zyrtare mbështet qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, Izrealit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme. Këtë e bëri të ditur dje zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Metam gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Al-Malki, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. "Një vend i rëndësishëm gjatë bisedimeve iu kushtua edhe situatës në Lindjen e Mesme dhe kryesisht procesit të paqes në këtë rajon. Në këtë kuadër, Meta u shpreh se Qeveria shqiptare mbështet fuqimisht procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e Kuartetit në këtë drejtim. Ai nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e Shtetit Palestinez, duke mbajtur në vijimësi qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, me qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Al-Malki vlerësoi qëndrimin e Qeverisë shqiptare për çështjen palestineze dhe shprehu qëndrimet e Autoritetit Kombëtar Palestinez, në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Gjatë ditës së djeshme, zyrtari i lartë palestinez u takua edhe me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. "Kryeministri Berisha garantoi Ministrin Al-Maliki për mbështetjen e Qeverisë shqiptare për forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe hartimin e nismave me interes reciprok", thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›