E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Burgjeve: Ministria bllokoi gjyqet për “ulje dënimi” në qeli

 

TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e konsideron Ministrinë e Drejtësisë si burim të pengesave, që sjellin më pas parregullsi ligjore dhe procedurale në gjyqet, për ulje dënimi të të dënuarve që mbahen në burgjet e vendit. Lajmi bëhet i ditur në një shkresë të nisur nga kreu i burgjeve Gazmend Dibra, në adresë të avokatit të Popullit Ermir Dobjani. Letra e mbërritur në zyrat e Avokatit të Popullit pak ditë më parë është kthim përgjigjeje për rekomandimet që Dobjani ka dhënë pas një inspektimi të mënyrës së shqyrtimit të gjyqeve, për ulje dënimi nga të burgosurit. Sipas kreut të burgjeve, prej institucionit të tij i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë zhvillimi i seancave gjyqësore në ambientet e institucioneve të burgjeve, për shkak se është e pamundur që të dënuarit të transportohen në gjykata për gjyqe të tilla. “Nga ana jonë është kërkuar në Ministrinë e Drejtësisë që të ndërhyhet pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, që merren me gjykimin e kërkesave të të dënuarve, që seancat gjyqësore të zhvillohen në ambientet e institucioneve”, thuhej në përgjigjen e Drejtorisë së Burgjeve për Dobjanin. Në vijim, titullari i burgjeve bënte të ditur refuzimin që kishte hasur kjo kërkesë. “Përgjigja për këtë rast ka qenë negative, me arsyetimin se në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të ndërhyhet pranë këtyre gjykatave që seancat të zhvillohen jashtë ambienteve të tyre, megjithëse në shumë institucione më parë një gjë e tillë është aplikuar me sukses”, vijonte shkresa zyrtare. Gjatë inspektimeve të kryera muajt e fundit, në disa burgje të vendit inspektorët e AP-së ishin vënë në dijeni nëpërmjet ankesave të të dënuarve, se proceset gjyqësore që zhvillohen me kërkesë të tyre për ulje dënimi kanë shfaqur shpesh herë parregullsi të rënda ligjore dhe procedurale. Pas kësaj Avokati i Popullit kreu një studim të volumit të çështjeve të këtij lloji që trajtohen nga gjykata, cilësinë e tyre dhe përballimin e këtij procesi nga ana e IEVP-ve përkatëse. Përfaqësuesit e AP-së vunë re një sërë problematikash për të cilat bënë edhe rekomandimet përkatëse. Një ndër problemet e vërejtura ishte edhe fakti që gjyqet shtyheshin për shkak të problemeve në planifikimin e kombinuar të lëvizjes së të dënuarve dhe stafit edukator të IEPV-ve, për vetë largësinë e madhe nga gjykata, numrin e kufizuar të automjeteve, si edhe shpenzime të tjera.  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›