E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet marangozi pasi la gruan

 

TIRANE- Vetëvritet në banesën e tij 65-vjeçari i ndarë nga familja. Behar Dezdari, banues në rrugën e Barrikadave në kryeqytet, është gjetur i vdekur paraditen e djeshme nga shërbimet e policisë, pas lajmërimit të një fqinji. Policia është njoftuar nga komshiu, i cili ka dëgjuar një krismë arme në banesën e 65-vjeçarit me profesion marangoz. Grupi i gatshëm ka mbërritur në vendngjarje menjëherë pas informacionit të marrë dhe ka nisur kryerjen e veprimeve hetimore, si dhe mbledhjen e deklarimeve nga personat okularë në ngjarje. Sipas tyre, kohët e fundit Dezdari nuk kishte qenë në gjendje të mirë dhe moralisht kishte qenë në gjendje të rënduar. Pranë viktimës, policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë “TT”. Në armë, sipas burimeve të policisë, gjendeshin 5 fishekë të kalibrit 7.6 mm. Si provë policia ka bllokuar edhe një gëzhojë që dyshohet se është qitur nga arma që ndodhej pranë viktimës. Nga veprimet e para të kryera nga policia dyshimet e hetuesve mbi motivin e ngjarjes, lidhen me jetën e tij në familje pasi prej kohësh jetonte vetëm.           d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›