E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jagcilar i do dy ministri

Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 20:40

Përveç një ministrie që i takon me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, grupi i ri parlamentar përbërë nga Partia Demokratike Turke (KDTP), koalicionin boshnjak VAKAT dhe Partinë Rome e Bashkuar (PREBK), kërkon edhe ndonjë post ministror dhe disa poste zëvendësministrore.

Kryetari i KDTP-së, Mahir Jagcilar, ka thënë se gjatë bisedimeve me PDK-në, do të shikohet mundësia edhe për poste të tjera, përveç një posti qeveritar të garantuar me Kushtetutë.

Burime të Kosovapressit brenda PDK-së kanë thënë se tashmë PDK-ja ka qartësuar pozicionet me subjektet politike të pakicave, megjithatë Jagxhillar ka thënë se deri tani nuk ka pasur kurrfarë bisedimesh zyrtare.

“Neve, sipas Kushtetutës, na takon një ministri dhe tash do të kërkojmë sigurisht edhe disa poste të tjera, a do të jenë ministrore apo zëvendësministrore, do të shikojmë në bisedime të drejtpërdrejta. Zyrtarisht, ende nuk kemi pasur biseda dhe ende nuk i kemi qartësuar pozicionet. Ne dje e kemi formuar zyrtarisht grupin parlamentar, por me PDK-në, nuk kemi biseduar zyrtarisht”, ka thënë Jagcilar.

Ai ka theksuar se ende nuk ka ndonjë ftesë nga PDK-ja, por kur të ketë një ftesë zyrtare, atëherë ky grup i ri parlamentar do t’i parashtrojë kërkesat e veta në mënyrë zyrtare.

“Ne kërkesat tona do t’i paraqesim gjatë bisedimeve. Një post ministror na takon, por edhe disa zëvendësministra, mirëpo do të shikojmë, sepse jemi disa subjekte brenda grupit parlamentar dhe duhet të jemi të balancuar”, është shprehur Jagxhillar.

Grupi parlamentar i udhëhequr nga Jagcilari ka gjithsej gjashtë deputetë, përkatësisht KDTP-ja do të ketë tre: Mahir Jagcilar, Enis Kervan dhe Mufera Srbica-Shinik, Vakati ka dy: Rasim Demirin dhe Duda Baljenin, ndërkaq PREBK-u përfaqësohet në Kuvend vetëm me Albert Kinollin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›