E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte në Vlorë, Kastrioti lë ndeshjen



Flamurtari dhe Kastrioti nuk e kanë përfunduar takimin e javës së 22-të të kampionatit, pasi krutanët në minutën e 89-të e kanë braktisur atë në shenjë proteste për penalltinë e dhënë në favor të vlonjatëve nga gjyqtari, Sokol Jareci. Penallti, gola, tension, grushte dhe në fund braktisje të lojës. Kjo ka qenë tabloja e takimit të javës së 22-të të kampionatit, midis Flamurtarit dhe Kastriotit. Penalltia e dhënë në favor të kuqezinjve, pas një faulli ndaj sulmuesit Migen Memelli, bëri që stafi teknik krutan, lojtarët madje edhe drejtuesit kryesor të Kastriotit të protestonin ashpër, që çoi më pas në braktisjen e ndeshjes në minutën e 89-të. është hera e parë në këtë sezon që një skuadër futbolli lë sfidën në përgjysmë. Në minutën e 19-të të takimit, Memelli fiton një penallti, pas ndërhyrjes në mënyrë të gabuar nga Lika. Ekzekutimin nga pika e bardhë do ta marrë përsipër, mesfushori Artan Sakaj, i cili nuk gabon. Në minutën e 33, Elendro Pema një "ish" i Flamurtarit, që tashmë mbron ngjyrat krutane do të gjuajë me kokë, duke barazuar rezultatin. Me shifrat 1-1 do të mbyllej edhe pjesa e parë e takimit.
Tensioni
Minutat e fundit do të ishin të tensionuara, pasi vlonjatët do të ushtronin presion mbi kundërshtarin, që kishte ardhur për të marrë qoftë edhe një pikë në Vlorë. Në minutën e 89', Bilen do të fusë një top në zonë për Shehajn, por ndaj tij ndërhyn në mënyrë të gabuar, Ylli Shameti. Menjëherë, gjyqtari i takimit, Sokol Jareci do të akordojë një penallti për vlonjatët. Kjo gjë, i acaroi krutanët, të cilët reaguan menjëherë. Pankina e Kastriotit kërkon largimin e ekipit nga fusha e lojës dhe në këto momente përplasen edhe dy lojtarët Gjondeda për Kastriotin dhe Begaj për Flamurtarin, që më pas u ndëshkuan me karton të kuq. Fillimisht pati polemika mes tyre, por më pas pati edhe konfrontim fizik. Madje Bega tentoi ta gjuante Gjondedën me grusht dhe më pas me shkelma. Ka tension në stadiumin "Flamurtari", por vlonjatët do shkojnë në qendër, duke pritur rifillimin e lojës. Por krutanët, të cilët qëndrojnë pranë pankinës duken të vendosur për të mos e vazhduar më ndeshjen. Madje nga tribuna nuk munguan thirrjet e drejtuesve të Kastriotit, të cilët u bënë thirrje lojtarëve, që ta braktisnin sfidën. Dhe në fakt kështu ndodhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›