E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo, debateve boshe, ta lëmë gjuhën të rrjedhë”



Alma Mile

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (21 shkurti), shpallur nga UNESCO, e gjen shqipen me jo pak probleme. Fjalë të huaja, deformim strukturor, etj., të lidhura me kontekstin e ri të zhvillimit në Shqipëri, por edhe me problemin e mësimdhënies në shkollat tona. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj flet pikërisht për këto probleme dhe si mund të zgjidhen ato. Data 21 shkurt është shpallur nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Kjo ditë e gjen shqipen me ato probleme që kanë gjithë shqiptarët, një gjuhë të zhvilluar, dinamike, që ka sfiduar të gjithë kufijtë imagjinarë politikë. Pra një gjuhë që rrjedh bashkë me idetë, me konceptet, institucionet. Për shkak të hapjes është e detyruar të përballet me trysninë e globalizmit, me futjen e fjalëve të huaja, deformimet strukturore, çka janë të pashmangshme në një shoqëri që ridimensionohet ekonomikisht dhe politikisht. Por me kalimin e kohës, vetë njerëzit që flasin gjuhën, i bëjnë thirrje kujtesës së tyre në mënyrë që në një kohë të mëvonshme imunizimi gjuhësor të triumfojë mbi shpejtësinë e madhe me të cilën futen fjalët e huaja. Shqipja futet në 30 gjuhët e botës, se e kalon kufirin 10 milionë folës. Gjuha shqipe është zhvilluar në situata nga më të ndryshmet. Ka qenë një gjuhë e nënshtruar nga tërësia e kolonëve, që kanë shkelur barin shqiptar, si nga ata perëndimorë, ashtu dhe lindorë, duke filluar që nga visigotët, romakët, sllavët, turqit, etj.
Në një histori të ndërlikuar si kjo e jona, si ka mundur të mbijetojë gjuha shqipe?
Gjuha shqipe ka pësuar mbi kurrizin e vet, tërësinë e rrebesheve që i ka rezervuar koha, por si feniksi është ngritur nga hiri dhe ka mbijetuar edhe në kohët, kur nuk ka pasur asnjë lloj institucioni për ta ruajtur, as akademi e kancelari. Kjo për shkak të diçkaje shumë të çuditshme, që të gjitha gjuhët e kanë, por shqipja në veçanti. Popujt e tjerë i kanë mbajtur të unifikuar edhe dukuri të tjera që janë elementë të etnisë. Shqiptarët kanë pasur vetëm dy elementë themelorë, gjuha dhe gjaku, që nuk e kanë tradhtuar dhe shpërbërë shqiptarin. Ndërsa problemi i fesë, që në disa vende ka qenë unitar, tek ne, nuk ka qenë i tillë, sepse ne kemi një larmi fetare dhe feja i ka shërbyer shqiptarëve, sa herë është kënduar në shqip. Marrim si shembull arbëreshët, nën trysninë e kulturës italiane dhe Vatikanit, që rezistuan, duke ruajtur edhe ortodoksinë, pikërisht se në qishë (kishë), prifti këndonte në gjuhën shqipe. Pra gjuha është gjëja më e çmueshme, që ka një vend. Wilhelm Fon Humboldt thotë që gjuha e një populli është shpirti i tij dhe shpirti i tij është gjuha e tij. Të flasësh shqip nuk do të thotë të përdorësh mjetet e gjuhës për të komunikuar nga një folës tek tjetri. Ne jemi shqiptarë, jo se flasim shqip, por siç thoshte Umberto Eco, gjuha është ajo gjë që e ka bërë njeriun një fakt gjuhësor. çdo shqiptar është një rrjet gjuhësor, një burim informacioni, pasuri kulturore që komunikon në mënyrë të dyfishtë shqip, përmes asaj që jemi dhe asaj që themi.
E ndërsa shqipja i ka shpëtuar kaq shumë rrebesheve, nuk mendoni se duhet ta shpëtojmë nga vetë shqiptarët që e keqpërdorin atë?
Nuk dua të pajtohem me mendimet e pesimistëve, sipas të cilëve fatkeqësia Shqipërisë i vjen nga vetë shqiptarët. Gjuha shqipe dhe vetë shqiptarët nuk mund të jenë as më të mirë, as më të këqij se ky produkt që ne sot kemi, që vjen nga një konvertim i një shumësie faktorësh historikë, kulturorë, ekonomikë, shoqërorë, etj. E keqja e gjuhës shqipe, nuk i erdhi në kohën e mungesës së institucioneve, jo më t'i vijë sot. Ka një shqetësim të madh për mënyrën se si ne flasim shqip, se si ajo ndikohet nga gjuhët e tjera, apo për mënyrën se si mësohet në shkolla. E kemi të lehtë ta gjejmë problemin tek tjetri, por pak herë i bëjmë pyetje vetes se ç'gjë e bën gjuhën tonë kaq problemore në disa raste të caktuara. Si shumë të tjerë besoj shumë, që gjuha është një element kulturologjik, identiteti. Hajdegeri thoshte se gjuha është strehëza, ku futet njeriu dhe dua të besoj se nëse duhet të shkojmë drejt prirjes për ta përsosur një shqiptar, për ta bërë atë me një dimension më demokratik, më emancipues, kjo do të vijë në mënyrë të përshkallëzuar me përvetësimin dhe përsosjen e gjuhës.
Si mund ta arrijmë përsosjen e gjuhës?
Faktori i parë është shkolla, e cila detyrimisht luan një rol të rëndësishëm në pikëpamjen e mësimit, pasurimit dhe respektimit të normës gjuhësore. Shkolla e ka për detyrë këtë rol, ashtu si edhe institucionet e larta, si institutet, akademitë, shoqatat e gjuhëtarëve, shteti në tërësi. Ajo për të cilën ne kemi nevojë është që shqiptarët të jenë sa më pranë shqipes. Më mirë të përdorim një fjalë shqipe, qoftë kjo edhe dialektore, se sa një të huaj, sepse në fund të fundit dhe asaj ne i japim mundësinë për tu integruar në gjuhë. Nga ana tjetër mendoj se shqiptarët i ka prirë një fat i madh. Kufijtë u hapën dhe sot njerëzit lëvizin dhe bashkë me ta dhe idetë, strukturat. Kjo bën që të mos shikojnë njëri-tjetrin si të huaj, por si në pasuri gjuhësore. E rëndësishme është të komunikosh, t'i lësh format të rrjedhin natyrshëm, të mos marrësh pozicione krahinoriste, a thua se kjo gjuhë letrare do të ishte mbështetur mbi gegërishten do të ishte më fisnike se sa mbi toskërishten. Toskërishtja është po aq shqip sa gegërishtja dhe gjuhëtarët nuk duhet të marrin pozicione të tipit krahinorist, ashtu sikundër ka disa tendenca për të krijuar të ashtuquajturën gjuhë letrare "kosovarisht".
Do të ishte e mundur një gjë e tillë?
Nuk hyn në asnjë koncept teorik të pranueshëm sot, identifikimi i gjuhës me shtetin. Dihet që shteti nuk identifikohet me gjuhën, në të kundërt çdo të bëhej në Zvicër, në Amerikë, Gjermani, etj. Të ndash shqipen, sot kur shoqëria po priret drejt globalizimit, do të thotë të ndjekësh rrugën e Don Kishotit që shkon dhe bën luftë me mullinjtë e erës. Ajo që i kërkohet shqipes është të mësohet mirë si pasuri kombëtare në të gjitha institucionet që merren me punimin e gjuhës shqipe dhe të mos lejohet keqpërdorimi i saj në institucione, si shtëpitë botuese, gazetë, administratë, në shkresat që nxjerrin, për të qenë shumë të kujdesshëm. Ta lëmë gjuhën të rrjedhë dhe të mos i vemi pengesa artificiale.
Pra, pavarësisht debateve për gjuhën standarde, hapjen e saj, etj, shqipja do të rrjedhë në shtratin e vet?
Shqipja rrjedh në shtratin e vet. Si mund të flasim për dialektet, kur vetë zhvendosja demografike e shqiptarëve i ka kthyer të folmet dhe dialektet, thjesht në konfiguracione klasike, të cilat nuk kanë asnjë fakt real. Dialekt quhet një e folur që kufizohet në një territor të caktuar. Sot shqipja ka shkuar nga koncepti i dialektit, në një koncept më të gjerë demografik-sociologjik. Rrjedhja, qarkullimi në të gjitha dejet materialo-shpirtërore të shqiptarëve është siguria më e madhe që shqipja të mbijetojë.
Meqë përmendëm shkollat, përse ajo është e "pafuqishme" për të na e mësuar shqipen ashtu si duhet?
Në këndvështrimin tim ka probleme vërtetë shqetësuese. Së fundmi shkolla jonë ka përmirësime në metodologji dhe tekste, por në përgjithësi është konceptuar sikur të gjithë shqiptarët do të bëhen gjuhëtarë. Në mënyrë shumë agresive fëmijëve tanë u jepet një aparat metalinguistik, i cili nuk u jep kohë të mendojnë dhe të shkruajnë shqip. Shkolla jonë vuan nga disa defekte. I pari është se ka shumë informacion, që më shumë kërkohet të mësohet mekanikisht, duke mos u lënë kohë fëmijëve të mendojnë me kokën e tyre, pra është një shkollë "përmedshiste". Shkolla është e ngarkuar me shumë informacion të vjetruar, që ka bërë që bashkë me aparatin metodik të teksteve, të mos nxisë në masën e duhur, të mësuarin krijues. Ky është një problem për gjithë tekstologjinë shkollore. Problemi i dytë nga i cili vuan shkolla jonë është niveli i mesatarizmit në tekst. Ne bëjmë tekste të shtatës, të cilat janë mirë për ata të pesës që duan të ngjiten në këtë nivel, po ata që kanë inteligjencën e dhjetës, përse duhet të zbresin? Tekstet duhet të kenë një hapësirë dimensionale perceptuese, që t'i përgjigjen moshave që i studiojnë sipas klasave. Dhe së fundi është mekanicizmi i të mësuarit të gjuhës shqipe, njëlloj si të gjitha shkencat e tjera. Nuk ka dallim gjuha nga kimia, fizika. Ndërkohë që gjuha përdoret jo vetëm si e tillë, por edhe për tu shprehur në kimi e fizikë. Tekstologjia jonë për fat të keq, ende nuk ka përqendruar shkollën tek nxënësi, sesi ai të flasë mirë, natyrshëm në gjuhën e vet. Gjuha është natyrore, nuk është metalinguistikë. Të heqim dorë nga koncepte që ata më vonë do t'i mësojnë, nëse do të duan të bëhen gjuhëtarë, astronautë, fizikanë, etj. Atëherë më shumë se kundrinori, do t'u duhet të flasin shqip pastër dhe drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›