Guardiola Kontrate me rinovim automatik 1-1-1
Sipas shtypit katalanas, trajneri Pep Guardiola ka arritur tashmë një marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën. Një rinovim që është shumë i veçantë, sepse është bazuar në të ashtuquajturën formulë “1+1+1”, që i lejon në mënyrë substanciale trajnerit të vendosë në fundin e çdo sezoni nëse ka dëshirë të vazhdojë rrugën e tij me blaugranët apo do t’i japë lamtumirën të gjithëve dhe të bëjë gati valixhet. Pra, kënaqësia e presidentit të gjigantit Barcelona, Sandro Rosel, është më kozmetike se çdo gjë tjetër, sepse klubit i është dashur të pranojë pa e hapur aspak gojën për kushtet e trajnerit Pep Guardiola, që gjithsesi mbetet një besnik i klubit dhe prandaj për momentin një lamtumirë e tij duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur për t’u hedhur edhe si hipotezë. Nuk është nevoja të kthehemi shumë prapa në kohë, por, thjesht të rilexojmë fjalët e vetë Guardiolës, që dy javë më parë deklaronte: “Nuk do të qëndroj te Barça gjithmonë”. Me këtë kontratë, trajnerit katalanas i është përgatitur një tapet kuq milionash për të lënë Kamp Noun në momentin (që ai do ta konsiderojë) më të përshtatshëm. Megjithatë lajmi për rinovimin e tij do të kënaqë drejtuesit e klubit, por edhe lojtarë, të cilët me të në stol duken të gjithë të lumtur, pasi në kaq pak kohë (vetëm dy sezone e gjysmë) kanë mundur të fitojnë gjithçka dhe për më tepër bëjnë një lojë të admirueshme nga e gjithë bota e futbollit.