Inter paraqitet ne Madrid Kaka nuk eshte me i ndaluar
Interi ëndërron dhe nuk bëhet fjalë për synime të çfarëdoshme. Pas vendimit për të prishur kontratën me trajnerin Rafa Benitez, ka nisur zyrtarisht drejtimi i ri i klubit zikaltër. Një aventurë që duket se kalon nëpër rrugët shumëngjyrëshe të Brazilit. Pasi ia kanë besuar drejtimin e stolit Leonardos, një zgjedhje që ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë polemika e shushatje, tashmë drejtuesit zikaltër kanë udhëtuar drejt Madridit me objektivin të realizojnë atë që duket e pamundur: negociata bindëse dhe pozitive për të marrë shërbimet e Rikardo Kakasë. Ndërkohë, Interi ka realizuar goditjen e parë në merkato, duke blerë Andrea Ranokian, i cili luante me Xhenoan. Në orët në vazhdim, dy klubet pritet të nënshkruajnë kontratën, ndërsa pas kësaj marrëveshjeje zikaltrit do të paguajnë 12,5 milionë euro në dorë. Pra, ndryshe nga sa ishte menduar më parë, asnjë lojtar tjetër nuk do të përfshihet në këtë transfertë, me synimin për të ulur koston financiare. Xhenoa ka fituar të drejtën të blejë kartonin e plotë të Destros, duke bërë që i gjithë operacioni për Ranokian të kapë shifrën 19 milionë euro. Me llogari të thjeshta, kuptohet se vlera e mbrojtësit është katërfishuar në harkun e 30 muajve: në verën 2008, Preciozi e bleu nga Areco për 5 milionë euro.
Kjo ishte blerja e parë për Interin, ndërsa për përforcime të tjera, këtu nënkuptohet Kaka, Leonardo duhet të presë disa ditë, ndoshta edhe javë. Një pritje që vlen për të studiuar me detaje gjendjen e mesfushorit brazilian dhe për të kuptuar nëse lojtari i Realit të Madridit është rikuperuar plotësisht nga operacioni në gju. Afrimi i 28-vjeçarit rrezikon të zvarritet deri në atë pikë, sa klubi zikaltër është bindur të ideojë një “ekspeditë” të dyfishtë në Madrid, për të vëzhguar ndeshjet e para të ekipit “merengue” në La Liga për vitin 2011. Sfida e parë luhet në fushën e Gedafës (vetëm 10 kilometra larg kryeqytetit spanjoll), më 3 janar, ndërsa ndeshja e ardhshme zhvillohet më datë 6, kundër Levantes. Sipas gjasave, Kaka do të jetë në fushë në ndeshjen e dytë, duke qenë se ajo është e vlefshme për Kupën e Mbretit. Gjithsesi, në të dyja këto raste, një i dërguar interist do të jetë i pranishëm në stadium, me detyrën që të hartojë një relacion të detajuar për gjendjen e brazilianit. Zbarkimi i Kakasë në Pinetina është parashikuar në formë huazimi, ndërsa blerja e plotë e kartonit do të realizohet vetëm gjatë verës së ardhshme. Një alternativë është edhe shtyrja e transferimit për merkaton e verës, gjithmonë nëse gjendja fizike e mesfushorit nuk jep garanci për paraqitje në nivele të larta. Në këtë rast, Interi do të përqendrohet te përforcimet “low-cost” në repartin ofensiv.