E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudi Vata: Duam fitore, synojmë vendin e katërt

Rudi Vata

Vllaznia/ Trajneri flet për ndeshjen ndaj Pogradecit.

Tekniku Rudi Vata ka deklaruar se vetëm përmes një lufte të fortë e të ndershme ekipi i tij mund të arrijë drejt vendit të katërt në klasifikim, që ndryshe përkthehet edhe një vend në Kupat e Europës. Pavarësisht se tekniku e quan të pavlerë një pjesëmarrje të ekipeve shqiptare në kompeticione, objektivi i ekipit shkodran është që të renditet në një nga këto pozicione. “Ne duhet të luftojmë deri në fund, nëse dëshirojmë që të jemi në Kupat e Evropës dhe për të qenë në këto të fundit, na duhet të renditemi në vendin e katërt”, është shprehur tekniku Vata. Me sa duket, Vata dhe ekipi shkodran tani e dinë mirë që lufta për një vend të katërt do të kalojë pikërisht nga takimi i sotëm, që Vllaznia ka në Pogradec. Një takim i lehtë në letër, ku shkodranët janë favoritë, por që nuk mund të rezultojë i tillë në fushën e blertë, pasi liqenorët janë shumë pranë fundit të tabelës së klasifikimit dhe një hap fals do t’u kushtonte shumë.
“Ne jetojmë dhe punojmë si profesionistë. Prandaj kërkojmë që të japim më të mirën tonë jo vetëm në këtë takim, por në çdo takim që do të luajmë deri në fund të kampionatit. Për ne, në çdo ndeshje pikët janë bërë për t’u fituar dhe këtë do të kërkojmë të bëjmë edhe në përballjen ndaj pogradecarëve. Tani na mbetet të luftojmë dhe të bëjmë maksimumin nëse do të dëshirojmë që të arrijmë një vend në Kupat e Europës”, ka përfunduar Vata në prononcimin e tij. Në sfidën e sotme, trajneri shkodran do të ketë mundësi të rreshtojë në fushë një formacion model, duke qenë se të gjithë lojtarët titullarë janë të gatshëm. Vllaznia në ndeshjet e fundit ka arritur të marrë rezultate pozitive dhe një gjë të tillë do të tentojë edhe sot. Pogradeci është një ekip, që në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” bën paraqitje të mira, duke pasur edhe mbështetje të madhe nga tifozëria vendëse.

Ndreu: Me gjykim të pastër i mundim korçarët
Kastrioti nuk dorëzohet për Europën, duke qenë se është ende në lojë si në kupë, ashtu edhe në kampionat. Humbja 3-1 e pësuar kundër Skënderbeut të mërkurën, bën që në Krujë të shpresojnë ende. Humbja, sipas tyre, erdhi si pasojë e gjykimit jo korrekt dhe kësisoj vetë trajneri Ndreu pohon se nëse në Krujë “xhaketat e zeza” do të jenë të paanshëm, ata mund t’i mundin korçarët. “Nuk e çojmë absolutisht ndër mend që me rezultatin 3-1 të heqim dorë nga pretendimet tona në kupë. Nuk jemi ende jashtë këtij aktiviteti, e kësisoj besojmë ende te finalja. Vetëm shpresoj që në Krujë gjykimi të jetë i ndryshëm nga ai i Korçës. Atje, që nga fillimi i lojës deri në fund, arbitrimi ishte në favor të skuadrës vendëse”, ka theksuar trajneri.

Karabeci: Për 10 minuta sdija ku isha
Erando Karabeci e përjetoi krejt ndryshe ndeshjen e së mërkurës në Vlorë, teksa për 10 minuta nuk ishte në vete, duke qenë se pati humbje të përkohshme të memories. Mesfushori i Tiranës rrëfen se pas goditjes nuk dinte ku ishte dhe aq më tepër se sa ishte rezultati i atij takimi. Ky fakt solli alarm në ekip, ku kërkonin me ngulm nxjerrjen e tij nga fusha. Vetë lojtari refuzoi për disa minuta, por në fund u bind. “Pas vizitës që bëra në spitalin e qytetit të Vlorës, rezultoi se kisha një humbje të përkohshme të memories, por fatmirësisht jam mirë dhe këtë dua ta theksoj. Pasi më bënë kontrollin mjekësor në fushë, u çova në këmbë dhe pikërisht në atë moment pyeta se ku ishim. Harrova gjithçka dhe nuk e dija që po luanim në Vlorë, madje edhe këto që po i tregoj tani m’i kanë treguar, pasi vetë humba vetëdijen”, ka pohuar Karabeci.

Superiore/ Java e 20-të
Të premten

Pogradeci-Vllaznia        16:00
Laçi-Shkumbini        16:00
Të shtunën
Teuta-Tomori            17:00
Të dielën
Flamurtari-Bylisi        15:00
Kastrioti-Skënderbeu    15:00
Tirana-Apolonia        17:00
Të hënën
Kamza-Dinamo        16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›