Guardiola beson: Titullin në ‘Bernabeu’, ndërsa Murinjo u bën bisht mediave
Është nxehur klima në prag të El-Clasico-s së parë, nga katër që do të zhvillohen brenda 18 ditëve
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se ekipi i tij manovroi si duhet për ta tejkaluar Almerian e pa përshtatshme, përderisa planifikon që t’ia japë goditjen përfundimtare Real Madridit në El Clasico-n e 16 prillit. “Të mos gabojmë duke menduar se e kemi të garantuar titullin. Ne nuk po shkojmë në ‘Bernabeu’ duke menduar se nuk do të ndodhë asgjë. Ky është rasti unik për ne që ta vendosim fituesin e titullit. Nëse humbasim, distanca do të zvogëlohet në pesë pikë me gjashtë ndeshje të mbetura. Ne duhet të luajmë në ‘Bernabeu’ sikurse kemi bërë dy vitet e fundit. Ata janë ekip që dinë të rikthehen, ata kanë skuadër të madhe dhe kanë mënyra të ndryshme të lojës. Ne duhet të shfaqim impenjim të madh për fitore. Ne nuk mund të lejojmë që kjo ndeshje të ikë aq lehtë nga dora. Ky është mentaliteti i Barcelonës”, deklaroi Guardiola
Ndërkohë, tetë pikët diferencë që e ndajnë Realin e Madridit nga Barcelona kryesuese e kanë nxjerrë skuadrën e Zhoze Murinjos praktikisht jashtë garës për titullin kampion në Spanjë, por madrilenët ende vazhdojnë të besojnë te përmbysja e kreut. Por duket se ai që beson më pak është vetë Murinjo. Portugezi nuk është paraqitur përpara mediave pas fitores 3-0 me Atletiko Bilbao, ndërsa pyetjeve të gazetarëve u është përgjigjur zëvendësi i tij Aitor Karanka. “Sigurisht diferenca është e madhe, por matematika na lejon të besojmë. Kur bëhet fjalë për një klub si Reali i Madridit, atëherë detyrimi për të besuar bëhet më i madh. Ne do të luajmë ndeshjet tona dhe do të kërkojmë maksimumin deri në fund të sezonit”, ka thënë zëvendëstrajneri i Realit. Entuziazmi i skuadrës madrilene vjen pas suksesit 3-0 në fushën e Bilbaos, por përtej rezultatit Murinjo do të ketë një armë më shumë në javët e mbetura të sezonit. Ai është Rikardo Kaka. Braziliani duket se ka hedhur pas krahëve dëmtimin e gjatë, ndërsa ka konfirmuar formën e tij të mirë me dy gola në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll, duke udhëhequr skuadrën madrilene, e cila e nisi ndeshjen pa titullarët e këtij sezoni si Kristiano Ronaldo, Ozil apo Marcelo.