E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola i trembet Milanit

Barcelona do të luajë në sulm sot kundër Milanit, në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Champions League. “Blaugrana”-t duhet të thyejnë mbrojtjen kuqezi, që I frenoi në barazim pa gola gjatë javës së kaluar në “San Siro”.
Barcelona kërkon të kualifikohet për të pestën herë radhazi në gjysmëfinalen e aktivitetit më prestigjioz për klube, ndërsa trajneri Pep Guardiola vlerësoi ecurinë e kampionëve të Europës.
“Ky është suksesi ynë më i madh. Ecuria e deritanishme tregon sa mirë ka punuar klubi për një kohë të gjatë. Fakti që luajmë në çerekfinale dhe që kemi shansin të kualifikohemi në gjysmëfinale për të pestën herë radhazi është një sukses absolut. Jam krenar për këto paraqitje, ndërsa kjo është merita e klubit dhe e të gjithë atyre personave që punojnë këtu. Për të kaluar Milanin duhet të shënojmë të paktën dy gola, pasi ata janë një skuadër që mund të godasë gjithmonë”
Duke iu përgjigjur ngacmimeve të gazetarëve italianë rreth faktit se Mesi nuk shënoi në sfidën e parë, Guardiola foli me besim për yllin e skuadrës së tij, ndërsa theksoi se “vetëm një lojtar nuk mund të mposhtë një skuadër që mbrohet me tetë ose nëntë lojtarë”.
Mesi ka shënuar 12 gola në Champions League gjatë këtij sezoni dhe është një rrjetë larg rekordit të ri, ndërsa kapiteni i Barçës, Karles Pujol kërkon nga skuadra që të mos bëjë gabime.
“Mendoj se kjo është ndeshja më e rëndësishme dhe duhet të fitojmë pasi synojmë të qëndrojmë në Champions. Nuk ka vend për gabime, kjo është një finale. Duhet të sulmojmë për të gjetur golin, por edhe të jemi të kujdesshëm në mbrojtje”.
Barça nuk humbet në shtëpi në kupat e Europës prej tetorit 2009, kur u mposht 2-1 nga Rubin Kazani, ndërsa mungesa më e rëndësishme e katalanëve për këtë ndeshje është ajo e Ksavi Hernandez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›