E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperi-Kosove lufte per talentet

Ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka nisur një garë e ethshme për talentet. Federata Kosovare e Futbollit, FFK kishte planifikuar një grumbullim stërvitor me lojtarët e përfaqësueses U-19 më 3 dhe 4 prill, megjithatë me një lëvizje surprizë, ajo ka ndryshuar planet e saj.

Gjithçka është shtyrë për në 11 dhe 12 prill, pikërisht në periudhën kur Federata Shqiptare e futbollit do të organizojnë një seleksionim 4-ditor me talentet kosovarë të dy grupmoshave, me saktësisht me U-17 dhe U-19 në Kosovë, të paralajmëruar për tu zhvilluar nga data  9 deri më 12 prill.

Pala kosovare ka mohuar që kjo “përplasje” është e qëllimshme, por ka bërë të ditur se grumbullimi i U-19 të Kosovës është shtyrë për shkak të kushteve atmosferike, ndërsa më parë ai ishte parashikuar të zhvillohej në muajin mars.

Gjithsesi, stafi i U-19 kosovare me në krye trajnerin Ramiz Krasniqi ka theksuar se Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka kontaktuar me homologen e saj Kosovare për ta lajmëruar për zhvillimin e grumbullimit. 

Ndërkohë, në anën tjetër, zyrtarët në FSHF besojnë se nuk do të ketë asnjë lloj problemi për organizimin e dy kampeve paralele, madje duke shprehur besimin se mund të bëhet edhe shkëmbimi i ndonjë lojtari që mund t'i interesojë ekipeve respektive. Në grumbullim për evidentimin e talenteve për përfaqësueset kuqezi do të jenë trajneri i U-19, Foto Strakosha dhe tekniku boshnjak i U-17, Xhemal Mustedanagiç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›